Familja e Alexei Navalnyt, që vdiq ditë më parë në një burg rus, raportohet se do të duhet të presë edhe të paktën dy javë për ta marrë trupin e tij.

Kritikut të presidentit rus Vladimir Putin do t’i bëhen analiza kimike, ka njoftuar një përfaqësues i familjes.

Nuk ka konfirmim se ku gjendet trupi i tij, ndërsa autoritetet ruse kanë shuar përpjekjet për ta zbuluar lokacionin.

Gruaja e opozitarit rus ka akuzuar pushtetin se po përpiqet ta fshehë trupin. Në një video të hënën ajo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e Navalnyt për “Rusinë e lirë”. Yulia Navalny ka akuzuar direkt presidentin Vladimir Putin se ia ka vrarë bashkëshortin. Sipas saj, trupi po mbahet i fshehtë deri të largohen gjurmët e helmimit nga substanca nervore “Novichok”. Navalny i kishte mbijetuar helmimit me këtë substancë më 2020.

Vdekja e tij u njoftua të premten. Autoritetet në burgun në Siberi, ku Navalny po mbahej, kishin thënë se ai vetëm ka pësuar kolaps dhe më nuk ka rimarrë veten.

Liderët e Perëndimit ia kanë vënë fajin për vdekjen e Navalnyt, presidentit rus Vladimir Putin.

Kremlini i ka cilësuar këto deklarata si të papranueshme dhe arrogante.