Skopje/ North Macedonia - February 7, 2020: Skopje's building and modernizing plan, called "Skopje 2014" is continuing, and includes improving areas in Macedonia Square, shown here.

Prej sot deri më 25 korrik vazhdon faza portokalli në tërë shtetin. Për atë shkak Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Qeveria informojnë se vazhdojnë të vlejnë rekomandimet për ulje të rreziqeve nga temperaturat e larta. Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, rekomandohet lirim nga prania fizike në vendin e punës për grupet më të ndjeshme të popullatës, siç janë gratë shtatzëna dhe personat e moshës mbi 60 vjeç, me organizim të punës onlajn, atje ku procesi teknik-teknologjik e mundëson atë.

Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët. “Duke e marrë parasysh se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për respektimin e rregullave ligjore në këtë fushë”, thuhet në kumtesë.

Qeveria vendosi që autoritetet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet. Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës në mënyrë që punëtorët të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00. “Të gjitha subjektet juridike që kryejnë veprimtari në natyrë, të ndërpresin veprimtarinë në periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit. Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 07:00 deri në 17:00, në mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00”, thuhet në kumtesë.

Qeveria vendosi këto masa të zgjasin nëntë ditë, prej sot deri më 25 korrik, apo deri në vendimin e ardhshëm. Sipas Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, faza portokalli pritet të zgjasë në 10 ditët në vijim. Të gjitha rajonet në shtet: i Shkupit, i Osogovës-Maleshevisë, i Pellagonisë dhe i Ohrit-Prespës do të jenë në fazën portokalli./koha