Burime brenda skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut pohojnë se në radhët e Aleancës për Shqiptarët po shtohen tensionet për shkak të bashkëpunimit të mundshëm me BDI-në e Ali Ahmetit.

Emrat e përfolur në këtë përplasje janë Blerant Ramadani dhe Arben Fetai, aktualisht ministër, të cilët, sipas spekulimeve të fundit, nuk pajtohen me drejtimin aktual të partisë nën udhëheqjen e Arben Taravarit.

Arben Fetai ka qenë një kritik i hapur i Ali Ahmetit dhe qeverisjes së BDI-së, duke i cilësuar qëndrimet e kësaj partie si të dëmshme për interesat e shqiptarëve në vend. Retorika e tij politike ka qenë e ashpër dhe konsistente në drejtim të refuzimit të çdo bashkëpunimi me BDI-në, gjë që ka ngjallur dyshime për një ndarje të afërt nëse ASH vazhdon në atë drejtim.

Nga ana tjetër, Blerant Ramadani raportohet se nuk i përkrah politikat e fundit të Arben Taravarit, sidomos sa i përket qëndrimeve të paqarta ndaj koalicionit me BDI-në. Të njëjtat burime sugjerojnë se ai ka qenë i rezervuar në takime të brendshme partiake.

Për rrjedhojë, përflitet se të dy, Fetai dhe Ramadani, janë në prag të një vendimi të madh politik: t’i bashkohen VLEN-it, i cili pozicionohet si një alternativë e re kundër dominimit politik të BDI-së dhe përfaqëson një rreshtim më të qartë në skenën shqiptare.

Megjithatë, nga asnjëri prej dy figurave nuk ka ende një deklaratë zyrtare për këto raportime, ndërsa zhvillimet e ditëve në vijim pritet të sqarojnë më shumë mbi të ardhmen politike të tyre dhe drejtimin që do të marrë Aleanca për Shqiptarët. / © POPULLI.mk