Një rast i rëndë mashtrimi është zbuluar në Gjilan, ku është arrestuar Endrit Azemi, i dyshuar se kishte inskenuar një sëmundje të rëndë për të përfituar para nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, 20 vjeçari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute, duke hapur një fushatë për mbledhjen e donacioneve përmes platformës “GoFund”, kinse për shërim dhe rehabilitim.

Përmes kësaj fushate, ai dyshohet se kishte grumbulluar plot 189.206 euro nga donatorë të ndryshëm, me arsyetimet se aq i kërkonte një spital në Turqi, për tu shëruar.

Pas zbulimit të rastit, Prokuroria dhe Policia kanë ndërhyrë duke bllokuar mjetet financiare në llogaritë bankare të lidhura me rastin. I dyshuari ishte shpallur në kërkim policor, ndërsa të shtunën është arrestuar në Gjilan.

Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. Prokuroria ka paralajmëruar se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.(INA)