Deputetët në Parlament sot dhanë dritën jeshile për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Me këtë vendim, gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri më 20 korrik 2026, transmeton Portalb.mk.

Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen për shkak të situatës së paqëndrueshme ndërkombëtare të sigurisë dhe energjisë pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve serioze në transportin e naftës bruto, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga korridoret kryesore të energjisë në botë.

Pas sulmeve në shkurt dhe bllokadave të rrugëve detare, ekziston rreziku i mungesave globale dhe rritjes së çmimeve, me pasoja të drejtpërdrejta për tregun vendas.

Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme i lejon Qeverisë të vazhdojë me menaxhimin e koordinuar të situatës dhe zbatimin e masave për të siguruar një furnizim të sigurt me energji.

Qeveria ka ndërmarrë tashmë një sërë masash për të zbutur pasojat e krizës, duke përfshirë uljen e taksës së vlerës së shtuar për produktet e energjisë dhe uljen e akcizave për naftën dhe benzinën pa plumb, me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm.

Vendimi i ri do të hyjë në fuqi më 21 prill 2026, menjëherë pas skadimit të afatit të mëparshëm dhe pas botimit të tij në Gazetën Zyrtare.

Qeveria, fillimisht, vendimin për shpalljen e krizës në të gjithë territorin e miratoi më 23 mars, si rezultat i konfliktit të interesave në përdorimin e burimeve dhe rrugëve të burimeve strategjike të energjisë, si dhe pengimit dhe bllokimit të importit të tyre në vend.