Kryetari i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi, njëherit edhe njëri prej
liderëve të VLEN në një intervistë për MIA ka sfiduar opozitën shqiptare
duke i thënë që ta zgjedhin vitin në të cilin duan që t`i krahasojnë
punësimet e shqiptarëve me këtë qeveri.
Ibrahimi është i bindur se deri para zgjedhjeve lokale do të realizohet
punësimi i mbi 2500 shqiptarëve në institucionet e shtetit.
“ Ne e kemi sfiduar opozitën shqiptare që ta zgjedhin cilin vit ata e
duan nga qeverisja e tyre prej vitit 2002 deri në vitin 2024 me cilin
vit të tyre dëshirojnë të krahasohen për punësimet e shqiptarëve në
institucionet e shtetit. Unë jam i sigurt se kjo nuk ka ndodhur
asnjëherë në të kaluarën që 2500 shqiptarë të punësohen dhe të avancohen
brenda një viti. Ky proces është në zhvillim e sipër. Janë gjëra teknike
të lidhjes së kontratave, diku të përmbylljes së konkurseve, por kemi
dakordim të paluhatshëm që deri me shpalljen e zgjedhjeve lokale, i bie
deri me 8 gusht kur mund të shpallen zgjedhjet, të përmbyllet ky proces.
Dhe ne jemi të gatshëm që të raportojmë edhe me shifra të sakta se në
cilat institucione kanë ndodhur ato punësime dhe ato avancime. Kjo nuk
është diçka që ne mund ta fshehim e ta mbajmë jashtë syve të opinionit,
por janë gjëra që do të kalkulohen me numra dhe opinioni do të ketë
mundësi që ta shoh saktë se ky nuk ka qenë një premtim bosh, por një
vendim përmbajtësor”, deklaroi Ibrahimi.