Aktivistja Greta Thunberg u deportua nga Izraeli të martën, tha Ministria e Jashtme e vendit, një ditë pasi anija me të cilën ajo udhëtonte për në Gaza u sekuestrua nga ushtria izraelite.

Përmes një postimi në platformën “X”, Ministria e Jashtme ndau një foto të Thunberg në një aeroplan, duke thënë se ajo ishte nisur nga Izraeli dhe po shkonte në Francë përpara se të vazhdonte për në Suedi.

Adalah, një grup i të drejtave ligjore në Izrael që përfaqëson Thunberg dhe aktivistët e tjerë, tha se Thunberg, dy aktivistë të tjerë dhe një gazetar kishin rënë dakord të deportoheshin dhe të largoheshin nga Izraeli.

Aktivistë të tjerë refuzuan deportimin, po mbaheshin në paraburgim dhe çështja e tyre do të dëgjohej nga autoritetet izraelite.

Ndërkaq Thunberg ishte një nga 12 pasagjerët në bordin e Madleen, një anije që transportonte ndihma të destinuara për njerëzit në Gazën e shkatërruar nga lufta.

Forcat detare izraelite kanë sekuestruar anijen herët të hënën rreth 200 kilometra (125 milje) larg bregdetit të Gazës, sipas Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, grupit që organizoi udhëtimin.

Anija, e shoqëruar nga marina izraelite, mbërriti në portin izraelit të Ashdodit të hënën në mbrëmje, sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Aktivistët kanë thënë se po protestonin kundër luftës së vazhdueshme dhe krizës humanitare në Gaza.

Izraeli thotë se anije të tilla shkelin bllokadën detare të Gazës.

Ministria e Jashtme e Izraelit e ka përshkruar udhëtimin si një marifet të marrëdhënieve me publikun, duke thënë në mediat sociale se “‘jahti për selfie’ i ‘të famshmëve’ po shkon i sigurt drejt brigjeve të Izraelit”.