Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pasi që Qeveria në mbledhjen e mbajtur të mërkurën i ka ndarë 11 milionë euro për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, të cilat do të përdoren për mbulim të pagesës se energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Sipas Hotit kjo nuk është politikë dhe se këto mjete nuk qëndrojnë te familjet por shkojnë në buxhet të shtetit e te KEDS-i.

Ai ka thënë se në këtë moment ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur, pasi sipas tij çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar.

“Në vend se të ndërmarrë masa për parandalimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike për familjet, siç ndodhi në dhjetor kur për shumë familje faturat u frynë tepër shumë, Qeveria ndan 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike. Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve”, ka shkruar Hoti në Facebook.