Deputetja Ilire Dauti ka reaguar ndaj deklaratës së Maksim Dimitrievskit, i cili shqiptarët i ka cilësuar si “një grup i vogël qytetarësh”.
Dauti, përmes një reagimi publik, i ka kujtuar Dimitrievskit se realiteti demografik flet ndryshe nga retorika e tij politike.
Ajo ka publikuar një përllogaritje duke iu referuar të dhënave demografike, sipas së cilës shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, ndërsa maqedonasit 54.2%. Në bazë të këtij raporti, numri i shqiptarëve arrin në 54.4% të numrit të maqedonasve.
“Ky grup që përbën mbi 54% të numrit tuaj, vështirë se mund të quhet i vogël”, është mesazhi i Dautit drejtuar Dimitrievskit.
Në fund të reagimit, deputetja ka dhënë edhe një mesazh të qartë për përfaqësuesit qeveritarë, duke kërkuar më shumë kujdes në deklaratat që bëjnë kur flasin për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.
Reagimi i Dautit vjen në një kohë kur përfaqësimi, barazia dhe respektimi i shqiptarëve vazhdojnë të jenë tema të ndjeshme në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.
