Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti nga Cetinska e Tetovës, ka deklaruar se dëshirojnë të dërgojnë porosi se janë më tepër se 2-3 të pakënaqur. Sipas tij, ata nuk dëshirojnë ta dëmtojnë BDI-në, por përkundrazi e dëshirojnë faktorizimin e partisë, raporton SHENJA.
“Pas Sellcës, sonte jemi në Cetinskë, në zemër të Tetovës!
Nga këtu, përveç që duam të dëgjojmë zërin e qytetarit tetovar, gjithashtu dërgojmë porosi të fuqishme se nuk jemi 2-3 të pakënaqur siç Artan Grubi e gënjen kryetarin Ali Ahmeti. Ne vetëm publikisht po e artikulojmë pakënaqësinë dhe mllefin që qytetarët nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari dhe gjitha vendbanimet shqiptare e kanë me këtë ekzekutiv të dështuar dhe arrogant.
Ne nuk duam assesi ta dëmtojmë BDI-në, nuk duam ta përçajmë që ajo të ketë fatin e PPD-së apo PDSH-së, përkundrazi duam BDI të forcohet dhe të kthehet te baza, të kthehet te origjina, të kthehet te qytetari, pa ministrat oportunistë të kryesuar nga Artan Grubi.”, ka deklaruar Izet Mexhiti.
