Juventus po punon për të kthyer përfundimisht faqen dhe për të lënë pas gjyqet e tij me gjykatat sportive në Itali dhe Europë. Pas dënimeve për rastin e fitimeve kapitale dhe marrëveshjes për paga të shtyra, bardhezinjtë po i afrohen UEFA-s. Hapi i parë ishte shkëputja nga Superliga dhe nga “Tuttosport” raportohet se ka të tjera.
Dje logoja e Juventusit u zhduk nga faqja e internetit të Ligës së Konferencës për disa orë, aq sa çështja të marrë një diskutim të gjërë në rrjetet sociale. Në UEFA folën për gabim njerëzor, por rastësia është e dyshimtë pasi hetimet në llogaritë e “Zonjës së Vjetër” mund ta lënë atë jashtë garave ndërkombëtare për një ose më shumë sezone.
Juve, për gazetën torineze, ka filluar të negociojë me Çeferin. Një delegacion avokatësh dhe drejtuesish kanë udhëtuar në Nyon për të arritur një marrëveshje që mbyll dosjen e tyre për shkeljet e mundshme të marrëveshjes së Fair Play Financiar të nënshkruar në shtator të vitit 2022.
Juventus ofrohet të heq dorë këtë sezon nga Liga e Konferencës, e cila më pas do të shkojë te Fiorentina. Do të ishte një ndëshkim i mirëpritur për klubin, i cili për shkak të sanksioneve në Itali kaloi nga Liga e Kampionëve në Ligën e Konferencës. Pjesëmarrja do të përjetohej më shumë si një pengesë për kalendarin e tyre, një sezon në të cilin “bardhezinjtë” duhet të jenë sërish të mëdhenj në Serie A. Përgjigja e UEFA-s nuk duhet të vonojë dhe në Torino janë optimistë se dorëheqja nga Liga e Konferencës është e keqja më e vogël për të nisur një epokë të re nga e para./alsat.mk