Kallëzim i ri penal ndaj ish kreut të Kërçovës, Fatmir Dehari, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me një projekt për ndriçimin rrugor. Kallëzim është paraqitur edhe kundër një personi tjetër nga administrata komunale. Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, Dehari në periudhën nga prilli 2021 deri në nëntor 2025, si kryetar komune, ka ndërmarrë disa veprime gjatë përgatitjes dhe zbatimit të një kontrate për partneritet publik-privat për modernizimin e ndriçimit rrugor në Kërçovë. Bëhet fjalë për një kontratë të nënshkruar në nëntor 2021 me një konsorcium prej tre kompanish, dy nga Kërçova dhe një nga Gostivar. Hetimi ka treguar se gjatë procedurës janë shkelur dispozitat e ligjeve për prokurime publike dhe për partneritet publik-privat, ndërsa kontrata u është dhënë personave të afërt me të parin e kallëzuar, me qëllim përfitimi pasuror. Sipas policisë, me këto veprime është shkaktuar dëm në buxhetin e Komunës së Kërçovës prej rreth 1.62 milionë euro. Kallëzim penal është ngritur edhe ndaj B.K., i punësuar në administratën komunale si udhëheqës i sektorit për financa./Alsat.mk.
