Në njësinë territoriale antizjarr në Dibër, thonë se intervenimet gjatë sezonit verorë kanë qenë kryesisht në hapësirë. Komisari i kësaj njësie Xhetan Miftaroski për gazetën KOHA thotë se janë regjistruar gjithsej 25 intervenime për shuarjen e zjarreve në pjesën dërmuese në hapësirë si në komunën e Dibrës ashtu edhe në komunën Qendër Zhupë

Vjollca SADIKU

Dibër, 4 shtator – Tre muajt e kësaj vere në Dibër dhe komunat rurale është përgjysmuar numri i zjarreve në krahasim me verën e kaluar. Gjatë sezonit veror respektivisht muajt qershor, korrik dh gusht ka patur vetëm 25 intervenime nga ana e njësisë territoriale antizjarr në Dibër. Kjo falë angazhimeve maksimale të institucioneve kompetente për mbrojtjen të hapësirave nga zjarret por edhe kushteve atmosferike që kanë qenë prezente gjatë verës.


Në njësinë territoriale antizjarr në Dibër, thonë se intervenimet gjatë sezonit verorë kanë qenë kryesisht në hapësirë. Komisari i kësaj njësie Xhetan Miftaroski për gazetën KOHA thotë se janë regjistruar gjithsej 25 intervenime për shuarjen e zjarreve në pjesën dërmuese në hapësirë si në komunën e Dibrës ashtu edhe në komunën Qendër Zhupë. “Në krahasim me verën e kaluar kemi 50 për qind më pak intervenime, respektivisht janë regjistruar vetëm 25 intervenime. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në hapësira kryesisht në tetë territore ku ka pyje”, thotë Miftaroski dhe shton se në uljen e zjarreve ka ndikuar aktivitete dhe apelet që janë dhënë popullatës që të mos shkaktojnë zjarre nëpër hapësirë. Gjatë verës kemi patur një bashkëpunim maksimal edhe me institucionet kompetente siç janë Polica pyjore MPB ,Shtabi për mbrojtje etj, thotë ai.

Por, një situatë stabile me zjarret është evidentuar edhe gjatë 8 muajve të këtij viti respektivisht janar- gusht. Komisari Xhetan Miftaroski thekson se për tetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 55 intervenime për shuarjen e zjarreve. Pjesa dërmuese sipas tij është në sferën e zjarreve në hapësirë dhe një numër më i vogël në zjarre që janë paraqitur në objekte dhe intervenime teknike . “Jemi të kënaqur nga numri i vogël i zjarreve dhe intervenimeve. Ekipi i zjarrfikësve ka qenë vigjilent dhe i gatshëm për intervenime së bashku me autobodet që posedon. Në përputhje me vendimet që ka pushteti vendor i Dibrës kemi patur intervenime edhe në komunën rurale Qendër Zhupë. Në Dibër dhe Qendër Zhupë është intervenuar disa herë edhe në deponitë që posedojnë komunat”, thotë ai.

Njësia antizjarr në Dibër ashtu siç ka intervenuar në shuarjen e zjarreve në disa vendbanime kufitare të Shqipërisë, atë e ka bërë edhe gjatë kësaj vere. Në njësinë antizjarr në Dibër na informuan se një intervenim të suksesshëm njësia e Dibrës ka patur në fshatin Vojnikë të Shqipërisë në afërsi të kufirit. Intervenimi është realizuar në marrëveshje me udhëheqësinë e komunës Dibër. Në lidhje me përgatitjen e njësisë antizjarr, udhëheqësit e njësisë thonë se kanë marrë masa për një aktivitet edhe për muajt në vijim. Tani kur nga ana e bujqve shpeshherë bëhen pastrimet e tokave me djegien e shkureve, kërkohet që pronarët e tokave të mos shkaktojnë djegien e shkureve pa kontroll që të mos përhapet zjarr me përmasa të gjëra. (koha.mk)