Kur liderë kaq të rëndësishëm të botës perëndimore zbarkojnë në një vend të vogël si Shqipëria, shanset që thjesht vizita të futet në histori, janë të pakëta. Ajo që mbetet në histori gjatë vizitave të tilla, janë fjalimet, deklaratat dhe zotimet e tyre.
Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë nuk e kishte asnjërën nga këto, pavarësisht se Edi Rama u përpoq që të tregonte se ishte një vizitë historike.
Vështirë të mendojë kush se pas disa vitesh, dikush do të flasë për Samitin e Tiranës. Vështirë të imagjinosh se çfarë mund të thuhet për këtë samit. Vështirë të shpresosh se ajo do të mbetet në kujtesën e ndokujt, qoftë në politikë, qoftë në diplomaci.
Sepse që vizitorët e rëndësishëm të mbajnë fjalime apo zotime të forta, duhet që të kenë përballë mikpritësin e duhur. Kështu ndodhi kur presidenti amerikan, Xhorxh Bush vizitoi Tiranën, dhe në krah të kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha, shpalli pavarësinë e Kosovës.
Por çfarë mund të ketë historike ky samit, kur kryeministri i shqiptarëve nuk guxon qoftë edhe njëherë të përmendë çështjen e Kosovës?
Çfarë mund të ketë historike ky samit, kur dihet se Bashkimi Europian është një projekt paqeje, kurse Edi Ramës nuk ia mban të dënojë mikun e tij Aleksandër Vuçiç, i cili e braktisi për të udhëtuar drejt Kinës?
Po si mund të mos thuash asgjë për Kosovën, kur përpara ke mediat e mbarë Europës, që do i bëjnë jehonë asaj që do thuash?
Si mund të mos e përmendësh situatën e krijuar nga Vuçiçi, kur ajo ishte kryeçështje e samitit dhe u theksua disa herë nga zyrtarët e lartë europianë?
Për çfarë mund të ketë diskutuar ky i ashtuquajtur kryeministër me liderët e BE? Për ngjyrat, për kubat, për piramidën, për batutat e tij bajate?
Ky nuk ishte asgjë më shumë se samiti i turpit. Ah, po, mund të hyjë vërtet në histori si samit. Disa vite më vonë do flitet si i pari samit në Shqipëri, ku kryeministri i këtij vendi nuk guxoi të ngrinte zërin për shqiptarët.
Para disa ditësh, një nga gazetarët më të njohur në Gjermani, bëri një konstatim që nuk kishte nevojë për ndonjë koment shtesë. Mikael Martens nga gazeta ‘Frankfurter Algemajne Cajtung’ tha se Edi Rama është kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikolla Pashiqi.
E megjithëse nuk ka shumë nevojë për koment, pasi gjermani Martens i ka vënë pikat mbi i, reagimet ishin kaq të shumta dhe nxirrnin në pah qartazi se ajo që kishte shkruar gazetari është e vërtetë. Qindra serbë e mbronin me entuziazëm Ramën, ndërsa qindra shqiptarë ndjeheshin të çliruar se një emër kaq i njohur, e kishte kuptuar se kryeministri i shqiptarëve është një tradhtar.
Një autore e njohur amerikane pati thënë dikur se kur armiqtë të përqafojnë me entuziazëm dhe bashkëkombësit e tu të refuzojnë, nuk është nevoja të pyesësh vetën nëse je tradhtar apo jo.
