Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll, në përballjen me Maltën, në transfertë, do të kërkojë fitoren e dytë në eliminatoret për Evropianin e vitit 2024. Të përzgjedhurit e Bllagoja Milevskit besojnë në rezultat pozitiv, pas barazimit të madh ndaj Italisë.

“Djelmoshat janë të vetëdijshëm se çfarë rëndësie ka kjo përballje dhe çka mund të na sjell, dhe që të mbajmë këtë atmosferë dhe energjinë pozitive, të cilën e nisëm në këtë grumbullim, ku filluam të ndërtojmë një gjë të mirë dhe ai shpirt ekipor që ishte shenjë e jona, të jetë praktikë edhe në të ardhmen”, deklaroi Blagoja Milevski, trajner i Maqedonisë.

Enis Bardhi, si kapiten i skuadrës vazhdon të luajë në pozita të ndryshme. Mirëpo e gjithë kjo vetëm në koordinimin me vendosjen taktike të trajnerit Milevski.

“Gjithmonë trajneri vendos për pozitën e secilit lojtarë prej neve dhe në atë moment ku duhet. Në secilën pjesë të fushës na duhet një lojtarë dhe normal këtë ndeshje me vendosi aty, pas sulmuesve për arsye të ndryshme, të cilat nuk mund t’I them. Mirëpo jam shumë i kënaqur dhe gjithmonë do të jap përgjigje në atë pozitë, të cilën trajneri me vendos të luajë”, tha Enis Bardhi, kapiten i Maqedonisë.

Tradita është në anën e Maqedonisë, e cila ka shënuar 4 fitore dhe një barazim në 5 takimet e fundit me kombëtaren e Maltës.

“Stadiumi kombëtar në La Valeta do të jetë vendtakim për kombëtares së Maltës dhe Maqedonisë, ku skuadra mysafire është në rolin e favoritit. Gjithçka përpos fitores së Maqedonisë, shihet si një senzacion. Të gjithë në taborin e Maqedonisë , presin një fitore të regjistrojnë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “EURO 2024”, raporton Mahir Thaçi, gazetar i TV ALSAT.

Ndeshja në mes Maltës dhe Maqedonisë do të nis në orën 20.45 minuta./alsat.mk