Mediumi i afërt me pushtetin në Serbi, Novosti, këtë të premte ka raportuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ia ka dorëzuar këtij të fundit tetë dokumente, ku sipas pretendimit të tyre, dokumentohen të gjitha “sulmet” e Qeverisë së Kosovës ndaj popullatës serbe në Kosovë prej kur Zyra e Kryeministrit drejtohet nga Albin Kurti.
Novosti, i cili thotë se i ka parë dokumentet të cilat tashmë i janë dorëzuar Stoltenberg-ut, ndër të tjera pretendohet se përmbajnë “383 sulme me motive etnike kundër serbëve në Kosovë”, ku 15 nga këto sulme të pretenduar janë kundrejt fëmijëve.
“Vuçiç, ka paraqitur këto të dhëna për ‘terrorin’ me të cilin po përballet kombi ynë gjatë një takimi me Stoltenberg. Në disa dokumente, të cilat kreu i shtetit ia dorëzoi nikoqirit të tij në Bruksel dhe në të cilat ‘Novosti’ kishte akses, përshkruhen me detaje kronologjike ‘ngacmimet’, ‘frikësimet’ dhe ‘arrestimet’ e serbëve”, shkruan Novosti.
“Në dosjen që i është dorëzuar Sekretarit të NATO-s gjenden tetë dokumente: ‘Kronologjia e terrorit të Kurtit në Kosovë, lista e serbëve të pushkatuar nga forcat e Kurtit në vitin 2023, raporti për sulmin ndaj dy fëmijëve në Zhitkovac, lista e serbëve që janë arrestuar padrejtësisht që nga ardhja e Kurtit në pushtet”, raporton më tej Novosti.
Vuçiç, pas takimit me Stoltenberg në Bruksel, në një konferencë për media, u shpreh shumë i shqetësuar për ngjarjet e fundit në Kosovë me theks të veçantë në Veri.
Ai ka kërkoi nga Stoltenberg që të sigurojë jetët e serbëve në Kosovë duke falënderuar për gatishmërinë e tij për të dëgjuar palën serbe.
“Më duhet të them se jam shumë i shqetësuar për ngjarjet e fundit në gjithë Kosovën, jo vetëm në Veri. Kjo vizitë është shumë e rëndësishme për ne. Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet problem sigurie, jo politike”, tha ai.
Duke folur për situatën në Veri të Kosovës, Vuçiç tha se krejt çfarë ka ndodhur muajt e fundit në këtë pjesë të vendit është si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës.
“Por, jo vetëm kaq, ka pasur edhe serbë të plagosur rëndë, gjegjësisht ‘të pushkatuar’ dhe nuk ka pasur hetim për këtë gjë që na shqetëson jashtëzakonisht shumë, në të njëjtën kohë ka edhe arrestime të pabaza dhe arbitrare të serbëve, kjo jo vetëm që na shqetëson, por paraqet edhe shqetësim të madh për serbët që jetojnë në Veri të Kosovës”, shtoi ai.
Vuçiç në po këtë konferencë për media, ka pretenduar ndër të tjera, se në gjashtë muajt e fundit, “të paktën gjashtë serbë janë plagosur me armë zjarri nga shqiptarët në Kosovë”.
“Fatmirësisht asnjë shqiptar nuk është qëlluar apo plagosur rëndë, gjë që tregon se kush çfarë po bën”./koha.mk
