Mercenarët e grupit Wagner po përgatiten për “mobilizim të plotë” pas lajmeve për vdekjen e liderit, Yevgeny Prigozhin, dhe të nënkomandantit të tyre, Dmitry Utkin, në aksidentin me avion pranë Moskës.
Kanalet e rrjeteve sociale të lidhura me Wagner-in postuan një sërë mesazhesh hakmarrëse pas rrëzimit të avionit, duke u zotuar për hakmarrje nëse lideri i tyre konfirmohet i vdekur dhe duke i shpallur njerëzit përgjegjës, “tradhtarë” të Rusisë.
Mbetet për t’u parë se si do të reagojnë mercenarët e Wagner ndaj vdekjes së udhëheqësit të tyre.
Ish-kreu i MI6, Sir John Sawyers, tha se shërbimet e sigurisë mund ta zbulojnë nëse avioni u rrëzua nga një raketë, por shtoi se beson që avionin e rrëzoi diçka që ndodhej brenda tij. Sakaq, ai ngre dyshime se Prigozhin mund të mos ketë qenë në avion dhe mund të jetë gjallë.
“Në bord nuk ishte vetëm Prigozhin, por të gjithë ata që e rrethojnë… Kështu që kjo është një mënyrë për të hequr të gjithë udhëheqjen e Wagner-it me një lëvizje dhe kjo do t’i ketë dhënë njëfarë kënaqësie, sigurisht, ministrit të mbrojtjes, Shoigu, komandantit ushtarak, Gerasimov, si dhe për Putinin dhe ata përreth tij në Kremlin”, tha ai.
