Njëri nga organizatorët e protestave studentore për të drejtën e dhënies së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, ka reaguar pas protestës së fundit masive në Shkup, duke kritikuar qëndrimet e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, dhe të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.

Ademi shpreh habinë që, edhe pas mobilizimit të madh të studentëve shqiptarë dhe mbështetjes së gjerë qytetare, ministri Filkov vazhdon të mbajë qëndrim kundërshtues ndaj kërkesës së studentëve dhe, sipas tij, të paraqitet si “mbrojtës i gjuhës maqedone”.

Reagimi i Mevlan Ademit:

Une nuk e di se si Filkov, pas asaj proteste masive, ende vazhdon të mbajë qëndrim kundër dhe të simbolizohet si “mbrojtës i gjuhës maqedone”.

Ne nuk kemi asgjë kundër gjuhës maqedone, por kemi kundër atyre që e kundërshtojnë gjuhën tonë amtare.
Gjithashtu, kryeministri ende insiston që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe ta zvarrisë edhe më tej këtë padrejtësi ndaj nesh. Pse na mundoni çdo herë? Pse jeni kaq kundër gjuhës shqipe? A ju frikëson aq shumë?