Te të gjitha klinikat ka kontrolle, inspektime, ku keqmenaxhim do të vëmë në pah problemet dhe do të kërkojmë që të ndërrohen drejtuesit, thotë ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Në intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai pranon se shëndeti publik është në gjendje të keqe, duke theksuar se duhet të ketë një riorganizim dhe sistemim të plotë. Siç shprehet, pa nevojë, kudo ka drejtorë organizativë që nuk dinë të menaxhojnë financat e klinikave.

https://youtube.com/watch?v=YDFN_XTeYsI%3Ffeature%3Doembed

“Unë trajtohem në shëndetësinë publike, po ashtu edhe familja ime dhe të gjithë ata që kanë nevojë. A e dini pse? Sepse kemi profesionistë shëndetësorë, staf të lartë, profesorë dhe mjekë. Por ajo që ka qenë vërtet e gabuar deri më tani është organizimi dhe menaxhimi i klinikave. E di që të gjitha klinikat kanë buxhet dhe disa dinë t’i menaxhojnë ato burime financiare, e disa jo”, tha Mexhiti.

Mungesa e mjekëve është një tjetër pikë e dhimbshme në shëndetësi. Mjekët po largohen për paga më të larta. Kohë më parë pati protesta, pas së cilës mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë mezi morën një rritje page. Rritja u ra dakord në mars të këtij viti dhe varësisht nga detyrat e punës do të variojë nga 2000 deri në 3000 denarë. Ministri thotë se pagat e ulëta nuk janë arsyeja më e madhe e largimit të punëtorëve shëndetësorë.

“Ajo që nuk bën në vend është sektori juridik, ju e dini kur nuk ka drejtësi, njerëzit nuk ndihen të sigurt dhe ikin. Por ajo që mund të bëjmë është të hedhim hapa konkretë dhe kjo do të thotë të kemi një numër të saktë studentësh në vitin e gjashtë të mjekësisë, farmacisë dhe sapo të mbarojnë, t’u garantohet menjëherë vendi i punës”, tha Mexhiti.

Lidhur me ankesat për keqpërdorimet e “Terminit tim”, Mexhiti thotë se dërgojnë inspektim në çdo objekt shëndetësor dhe fillimisht i paralajmërojnë me Vërejtje dhe me rekomandim që të hapen më shumë termine për pacientët./tv21