Nga njëra anë, opozita kërkon të dijë nëse mjetet financiare të deklaruara në bilancin e bankës në Manastir ekzistojnë realisht, si dhe nëse ka pasur ndikim politik mbi vendimmarrjen e Bankës Popullore. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i kundërshton këto pretendime dhe e orienton debatin drejt rastit të Eurostandard Bank dhe transaksioneve të dyshuara gjatë qeverisjes së mëparshme
Ersan PAJAZITI
Shkup, 9 nëntor – A ekzistojnë realisht 80 milionë euro në arkën e Alta Bank në Manastir, apo bëhet fjalë vetëm për shifra të regjistruara në bilanc? Kjo pyetje e ngritur nga LSDM-ja ka ndezur një tjetër përplasje të ashpër politike mes opozitës dhe pushtetit, duke e kthyer çështjen e bankës në një betejë akuzash për kapital të dyshimtë, përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje politike në sektorin bankar. Derisa socialdemokratët kërkojnë hetim urgjent dhe përgjigje nga Banka Popullore, VMRO-DPMNE i hedh poshtë akuzat si manipulime dhe rikthen në vëmendje rastin e Eurostandard Bank, duke akuzuar ish-pushtetin për transaksione të dyshimta financiare.
LSDM ka kërkuar nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, që të deklarohet publikisht lidhur me gjendjen financiare të Alta Bank në Manastir, duke ngritur dyshime për ekzistencën reale të mjeteve financiare të evidentuara në bilancin e bankës. Sipas opozitës, zhvillimet e raportuara në Serbi lidhur me bankën me të njëjtin emër ngrenë pyetje serioze edhe për veprimtarinë e saj në Maqedoninë e Veriut. “Në Serbi ka procedurë falimentimi për Alta Bank, është arrestuar pronari Macura, ka hetim, kapital të dyshimtë dhe dyshime për 380 milionë euro. Në bankën e Macurës në Serbi është konstatuar se paratë realisht dhe fizikisht nuk kanë qenë asnjëherë në arkën e bankës, por kanë ekzistuar vetëm si shifra të regjistruara në mënyrë fiktive në kontabilitet. Pyetja është nëse në arkën dhe dokumentacionin e Alta Bank në Manastir ekzistojnë 80 milionë euro para të gatshme ose ekuivalentë përkatës të parasë së gatshme. Kaq figuron në bilancin e bankës”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga LSDM-ja kërkojnë që guvernatori të sqarojë nëse është kontrolluar gjendja reale e mjeteve të deklaruara. “Trajko Sllaveski ka pasur kohë të mjaftueshme për ta kontrolluar këtë dhe kërkojmë që menjëherë të deklarohet dhe të informojë opinionin. Përse nuk bëhet e ditur kjo? Apo rasti po mbulohet?”, pyesin nga partia opozitare.
LSDM-ja pretendon se prej 11 muajsh ka paralajmëruar për kapitalin që e cilëson të dyshimtë dhe ka kërkuar reagim institucional, hetim dhe përgjegjësi penale për personat që mund të kenë qenë të përfshirë në hyrjen e Alta Bank në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut. Opozita e ka drejtuar kritikën edhe ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, duke pretenduar se ai ka pasur rol vendimtar në procesin e hyrjes së bankës në vend. Si argument, LSDM-ja i referohet një deklarate të guvernatorit Sllaveski, i cili, sipas partisë, kur është pyetur për konsultimet me kryeministrin, është përgjigjur: “Me kryeministrin, gjithsesi”, duke shtuar se bëhet fjalë për një çështje me “ndjeshmëri politike”. Për LSDM-në, një deklarim i tillë ngre pikëpyetje për respektimin e pavarësisë institucionale të Bankës Popullore. “Banka Popullore, sipas ligjit, duhet të jetë institucion i pavarur. Pavarësia përfundon aty ku fillojnë interesat e Mickoskit. Ai është guvernator, biznesmen, gjykatës, prokuror, ai vendos për gjithçka”, akuzojnë nga LSDM-ja.
Partia opozitare pretendon se deklarata e guvernatorit përforcon dyshimet e saj për përfshirjen e kryeministrit në vendimmarrjen lidhur me Alta Bank. “Kjo është konfirmim i asaj që LSDM-ja e thotë prej 11 muajsh: vendimi i Mickoskit ka qenë vendimtar për ardhjen e Alta Bank në Maqedoni”, thuhet në reagim.
Socialdemokratët shkojnë edhe më tej, duke e cilësuar bankën si instrument të dyshuar për pastrim parash të lidhur me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ata pretendojnë gjithashtu se kryeministri ka marrë vendime lidhur me shitjen e aksioneve të ndërmarrjeve publike te Macura dhe se tani mund të përfshihet në negociata për shitjen e bankës në Manastir. “Në çfarë cilësie? Si mundet kryeministri të negociojë për shitjen e një banke kur Banka Popullore është institucion i pavarur?”, pyesin nga LSDM-ja.
Partia kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Prokurorisë Publike. “Prokuroria duhet të reagojë menjëherë, të hapë hetim dhe të gjithë ata që janë përfshirë në ardhjen e Alta Bank në Maqedoni duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Ndaj akuzave të opozitës ka reaguar VMRO-DPMNE, duke i cilësuar pretendimet e LSDM-së dhe kryetarit të saj, Venko Filipçe, si manipulime që synojnë të krijojnë konfuzion në opinion lidhur me rastin e Alta Bank. Nga partia në pushtet thonë se LSDM-ja po bën krahasime të pabazuara ndërmjet Alta Bank dhe rastit të mëparshëm të Eurostandard Bank. “LSD dhe Venko Filipçe vazhdojnë të përhapin manipulime lidhur me rastin e Alta Bank. Se ata nuk kanë njohuri për sektorin bankar, kjo është e qartë nga fakti se nuk bëjnë dallim ndërmjet Eurostandard dhe Alta Bank, sepse bëhet fjalë për dy raste me baza të ndryshme ligjore”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.
Sipas partisë në pushtet, autoritetet përgjegjëse për çështjen e Alta Bank kanë qenë transparente dhe kanë informuar se po punojnë për zgjidhjen e situatës. Megjithatë, VMRO-DPMNE nuk ndalet vetëm te kundërshtimi i akuzave të opozitës, por e zhvendos debatin edhe te transaksionet financiare që, sipas saj, kanë ndodhur gjatë qeverisjes së LSDM-së. Nga VMRO-DPMNE pretendojnë se në vitin 2019, gjatë qeverisjes së LSDM-së, është lejuar transferimi i 110 milionë eurove nga Venezuela, vend që, sipas tyre, në atë periudhë ishte nën sanksione ndërkombëtare. Partia në pushtet pretendon se mjetet janë transferuar drejt kompanive të afërta me ish-kryeministrin Zoran Zaev. “Paratë janë transferuar përmes llogarive të jorezidentëve, të kompanive të hapura në mënyrë fiktive në Shkup, pronarët e të cilave kanë qenë shtetas të Amerikës Latine. Një pjesë e këtyre mjeteve ka kaluar edhe përmes bankave ruse”, pretendojnë nga VMRO-DPMNE.
Sipas kësaj partie, kompani të lidhura me Zaevin kanë përfituar pothuajse 13 milionë euro duke mos i shlyer kreditë, në dëm të depozituesve të tjerë të bankës. “Kompanitë e afërta me Zaevin kanë përfituar pothuajse 13 milionë euro duke mos i paguar kreditë, në dëm të të gjithë depozituesve të tjerë në bankë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia përmend konkretisht kompaninë “Sara Engineering DOO Strumica”, për të cilën pretendon se më parë ka qenë në pronësi të Vice Zaevit, ndërsa aktualisht drejtohet nga Stojan Koçirov. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Koçirov është anëtar i Komitetit Qendror të LSDM-së, i emëruar drejtpërdrejt nga Venko Filipçe. Gjithashtu, partia pretendon se kompania ka detyrime të papaguara tatimore ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike. (koha.mk)
