Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paralajmëruar qytetarët për shtimin e mesazheve mashtruese përmes SMS-ve, postës elektronike dhe rrjeteve sociale, përmes të cilave kërkohet pagesa e kundërvajtjeve të supozuara rrugore të regjistruara nga sistemi „Qyteti i Sigurt“.

Sipas MPB-së, bëhet fjalë për mashtrime të llojit phishing, ku qytetarëve u dërgohen mesazhe me linqe të rreme, përmes të cilave kërkohet që të fusin të dhënat e tyre personale dhe bankare. Qëllimi i këtyre veprimeve është keqpërdorimi i informacioneve dhe mjeteve financiare të qytetarëve.

MPB u bën apel qytetarëve që të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos vendosin të dhënat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo informacione të tjera personale në ueb-faqe të paverifikuara. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos kryejnë pagesa përmes linqeve të pranuara në mesazhe të dyshimta.

Nga Ministria rikujtojnë se njoftimet zyrtare me SMS për kundërvajtjet rrugore nga sistemi „Qyteti i Sigurt“ dërgohen ekskluzivisht nga dërguesi “MVR-SC“ dhe përmbajnë detyrimisht targën e automjetit me të cilin është kryer kundërvajtja.

Ndërkaq, linku zyrtar për informacione dhe pagesën e kundërvajtjeve është: http://safecountry.mvr.gov.mk.

Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së, ndërkohë, po ndërmerr masa dhe veprime për zbulimin dhe sanksionimin e personave të përfshirë në këto mashtrime.

MPB u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të verifikojnë çdo njoftim para se të ndërmarrin ndonjë veprim./Alsat.mk