Këshilltari i Lidhjes Shqiptare në Këshillin e Komunës së Tetovës, Arlind Murtezani, ka kritikuar kryetarin Bilall Kasami për mungesën e flamujve shqiptarë në bulevardet dhe sheshet e qytetit gjatë nëntorit.

Në një reagim publik, ai ka kërkuar përgjegjësi nga kreu i komunës, duke e krahasuar këtë situatë me reagimin e mëparshëm ndaj vendosjes së flamujve me Diellin e Vergjinës. Murtezani thotë se, kur kishte kërkuar përgjegjësi për vendosjen e këtyre simboleve në hapësirat publike të Tetovës, Kasami ishte arsyetuar se çështja ishte në kompetencë të policisë dhe jo të komunës.

Sipas këshilltarit, pavarësisht denoncimeve të tij publike, komuna nuk e kishte paraqitur rastin në polici. Ai e interpreton këtë si mungesë gatishmërie politike për të reaguar ndaj VMRO-DPMNE-së. “Sot, kur në bulevardet dhe sheshet e Tetovës mungon flamuri shqiptar, simbol i lejuar me ligj, ju pyes publikisht: Pas kujt do ta fshihni këtë herë mungesën e vullnetit tuaj?”, ka shkruar Murtezani. Në reagimin e tij, këshilltari ka bërë thirrje për reflektim mbi ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përgjegjësinë ndaj trashëgimisë kombëtare. “Për flamujt e Vergjinës kishit justifikime, për flamurin shqiptar keni heshtje!”, është shprehur ai, duke i kërkuar Kasamit të reflektojë për qëndrimin institucional ndaj kësaj çështjeje.