Presidentja Osmani duket se ka vendosur t’i jap një të shtyrë tjetër përpjekjes për unitet politik për zhvillimet e fundit në vend. Nacionale merr vesh se ajo ka vendosur të ftojë kryetarët e partive parlamentare në një takim konsultativ.
Gjatë seancës së sotme, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kërkuar që presidentja të thirrë një takim pas zhvillimeve shqetësuese në raport me marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj më të mëdhenj, BE-në dhe ShBA-në.
Masa ndëshkuese janë paralajmëruar si nga BE-ja, ashtu edhe nga ShBA-ja, për shkak të veprimeve që i shohin si destruktive të Qeverisë Kurti.
Dhe, si duket presidentja e vendit Vjosa Osmani e ka marrë parasysh këtë kërkesë të bërë nga ana e Haradinajt. Kujtojmë se Haradinaj përmendi edhe mundësinë që takimi të mbahej me dyer të mbyllura, pa vëzhgimin e mediave.
“Në një situatë si kjo, me se paku, një takim me dyer të mbyllura i udhëheqësve institucionalë me udhëheqësit politik, ish kanë ngjarja e parë me e diskutu,” – u shpreh në seancën e sotme z. Haradinaj.
Nacionale merr vesh se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ftuar të gjithë kryetarët e partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës për të folur mbi situatën e fundit.
Edhe Osmani ka shprehur shqetësim në lidhje me deklarimet e diplomatëve evropianë dhe amerikanë në lidhje me masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por nuk ka shprehur asnjëherë qëndrim kritik ndaj Qeverisë Kurti për një gjë të tillë.
Nacionale ka kontaktuar edhe me Presidencën për të marrë konfirmimin e këtij informacioni por deri në këto momente nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, kemi kontaktuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me këtë raportim.
Kujtojmë se së fundi ish-bashkëpunëtorja politike e Presidentes Osmani, znj. Donika Gërvalla Schwarz, u shpreh shumë kritike ndaj ShBA-ve dhe BE-së për qasjen ndaj Kosovës.
“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike bile as për miqtë më të ngushtë.” – u shpreh ajo për gazetën Der Standard.
Çka tha Haradinaj?
Ish-kryeministri i Kosovës, sot në seancën e Kuvendit u shpreh se diskutimet në atë sallë tashmë ishin bërë komike duke argumentuar për nevojën e një takimi të tillë.
“Ne jemi komik këtu, nëse vijmë e sillemi këtu sikur se nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, nuk jemi serioz më. Jemi duku u sjell me tallje ndaj asaj që na kanë besu njerëzit dhe ndaj gjithë partnerëve që me mund e kanë pru vendin këtu ku është sot. A ka dikush në këtë sall, por jo vetëm në këtë sall, në Kosovë, që nuk e din që kanë filluar ndëshkimet ndaj Kosovës, si politike, si ekonomike, si në siguri” – u shpreh mes tjerash ai.
Kreu i AAK-së e denoncoi edhe heshtjen e institucioneve të vendit ndaj deklaratave të ashpra ndërkombëtare./nacionale.com