Një punëtor ka humbur jetën në Kisella Vodë ndërsa tre tjerë janë lënduar, mësohet se investitor i ndërtesës është ish-kryetari i Komunës së Aerodromit, Ivica Konevski, ndërsa ndërtimin e objektit po e realizon kompania “Jakimovski”, transmeton Portalb.mk.

Viktima, sipas informacioneve të para, është 34 vjeç.

Tragjedia ndodhi pasi u zunë nga një masë dheu në një kantier ndërtimi.

Tre punëtorët që shpëtuan janë dërguar në Qendrën Emergjente, njëri ka fraktura, ndërsa dy të tjerët kanë lëndime më të lehta.

Të lënduarit janë të moshës 35 deri 45 vjeç, por hetimi do të tregojë rrethanat e sakta të aksidentit.

Nga Ministria e Shëndetësisë u njoftua se në Qendrën Emergjente janë transportuar tre punëtorë të lënduar.

“Dy prej tyre kanë lëndime të lehta trupore dhe kontuzione, dhe po kryhen procedura diagnostikuese. Te njëri është trajtuar menjëherë një dëmtim në bërryl, ndërsa pacienti i tretë ka fraktura në të dy këmbët e poshtme dhe në një kofshë. Gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet dhe trajtimi mjekësor po vazhdon”, thuhet në njoftim.

Investitori i ndërtesës, ish kreu i Aerodromit Ivica Konevski për SDK deklaroi se toka ku po ndërtohet ndërtesa është pronë e familjes së tij, ndërsa ndërtimin e objektit po e realizon kompania “Jakimovski”.

“Është një tragjedi ajo që ndodhi. Kompania ‘Jakimovski’ ka përvojë shumëvjeçare, të gjitha procedurat janë respektuar dhe janë marrë të gjitha lejet e ndërtimit. Me shumë gjasë është rrëshqitur papritur toka, pas së cilës ka ndodhur aksidenti”, tha Konevski.

Për rastin informoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme.