Mesatarisht, në Maqedoninë e Veriut, në periudhën 2012-2021 ka 6.908 raste të reja në vit, përkatësisht 333 raste për 100.000 banorë, nga të cilat 54.2% e rasteve janë meshkuj, ndërsa 45.8% janë femra

Shkup, 21 shkurt – Derisa Klinikat Onkologjike po mbushen me pacientë, mungesa e stafit dhe terapive është ajo që më së shumti bie në sy. Drejtoresha e Klinikës për Radiologji dhe Onkologji, Violeta Klisarovska, për media tha se burimet e tyre janë të kufizuara dhe kjo është e tmerrshme pasi nuk po shihet zgjidhje. “Pacientët presin me orë të tëra për të marrë terapinë pasi burimet tona janë të kufizuara. Është e tmerrshme, nuk po shohim zgjidhje”, tha ajo. “Të gjithë njoftuan se do të pasonte një epidemi e sëmundjeve onkologjike dhe kjo na ndodhi vërtet. Ne po humbasim staf, ndërsa nuk kemi të drejtë të punësojmë njerëz, kemi të bëjmë me staf me kontratë, por kjo nuk është zgjidhje”, thotë Klisarovska.

Klinikat marrin një buxhet i cili ndahet në buxhet bazë dhe kompensim të kushtëzuar. Në buxhetin bazë janë mjetet e destinuara për barnat nga lista pozitive dhe të gjitha shpenzimet që ka një institucion si pagat, mallrat dhe shërbimet. Kompensimi me kusht është për barnat që nuk janë në listën pozitive. Buxheti i miratuar i Klinikës Onkologjike për vitin 2024 është rreth dy miliard denarë, prej të cilëve një miliard e 400 mijë denarë janë të destinuara për barna nga buxheti i kushtëzuar, që mezi arrin në tridhjetë barna ndërsa ka shumë pacientë. Të dhënat e Fondit të Sigurimit Shtetëror për vitin 2023 tregojnë se buxheti i përgjithshëm fillestar i Klinikës së Onkologjisë ka qenë 1.719.200.000 denarë, një pjesë e të cilit tarifë e kushtëzuar(1.200.000.000), në ndërkohë, me kërkesë të klinikës, buxheti është plotësuar disa herë me mjete. “Deri më tani nga kompensimi i përgjithshëm me kusht për barna në vlerë prej 1.320.000.000 denarë, kompensimi i përgjithshëm me kusht i shfrytëzuar nga Klinika Onkologjike është në shumë prej 800.000.000 denarë”, njoftojnë nga FSSH.

Pavarësisht rimbushjes së vazhdueshme, pacientët shpesh ankohen se nuk ka ilaçe dhe terapi. Milica Kuzmanovska nga shoqata “HEMA” thotë se asnjëherë nuk ka mjete të vazhdueshme për të mbuluar të gjitha nevojat. “Problemi është se nuk mund paraprakisht të planifikohet pasi nuk dihet se sa pacientë kanë nevojë për terapi. Gjithmonë është planifikuar me 10% më shumë në raport me incidencën që duhet të shfaqet këtë vit, pra pacientë të rinj që do të sëmuren me kancer. Por kush mund ta parashikojë këtë”, thekson Kuzmanovska.

Klinikat nga FSSH marrin një tabelë për çdo ilaç dhe numrin maksimal të pacientëve që mund të përfshihen. Nëse për një ilaç të caktuar janë planifikuar 40 pacientë, nga Fondi thonë se në atë listë nuk mund të ketë 41 pacientë. Mjekët dhe shoqatat pajtohen se nevojitet decentralizim i shërbimeve, i cili do ta zvogëlojë presionin mbi onkologjinë në Shkup.  “Shpenzimet për pacientë që vijnë nga qytetet tjera janë të larta. Ndonjëherë nuk ka terapi, ndonjëherë duhet të presin me orë të tëra. Është vështirë të gjendet termin për mamografi dhe biopsi. Në Klinikën e Onkologjisë janë më shumë se 70 mijë pacientë nga e gjithë Maqedonia”, thotë Kuzmanoska.

Kryetarja e Odës së Mjekëve, Dr. Kalina Griçeva-Stardelova, vlerëson se nuk ka ilaç që mund të shërojë qind për qind. “Nga Oda e Mjekëve kemi ndjerë se si palë duhet të kontaktojmë me shoqatat e pacientëve, kurse po planifikojmë takim edhe me shoqatat e mjekëve për të parë se çfarë mund të bëhet për barnat që kërkohen me vite. Këtu, për shembull, e kemi Hepatitin B, i cili dikur ishte 700 euro, ndërsa tani kushton 50 euro”, thotë Stardelova duke shtuar se kanë kërkesa që edhe ushqimi enteral të futet në listën pozitive.

Maqedonia e Veriut i përket vendeve me incidencë mesatare, por me vdekshmëri të lartë nga këto sëmundje malinje. Vdekshmëria nga këto sëmundje malinje mund të parandalohet deri në 40% të rasteve duke reduktuar efektin e faktorëve të rrezikut, zbulimin e hershëm, skrining dhe trajtimin e duhur. Mesatarisht, në Maqedoninë e Veriut, në periudhën 2012-2021 ka 6.908 raste të reja në vit, përkatësisht 333 raste për 100.000 banorë, nga të cilat 54.2% e rasteve janë meshkuj, ndërsa 45.8% janë femra. Në raportin 10 vjeçar të ISHP-së thuhet se në sistemin shëndetësor spitalor në vit janë trajtuar mesatarisht 29.648 (11.91%)  pacientë. (koha.mk)