Ilir Demiri ka lënë të kuptohet se, meqë nuk u realizua “pazari”, mund të rikthehet si deputet i pavarur dhe të mos jetë i disponueshëm në momente kur shumicës parlamentare mund t’i nevojiten votat e tij
Shkup, 24 prill – Emërimet e reja në kryesinë e ardhshme të VLEN-it duket se kanë hapur një përplasje të heshtur brenda koalicionit, me deputetin Ilir Demiri që, sipas burimeve partiake, është rikthyer si deputet i pavarur, pasi nuk u realizua marrëveshja që e parashihte në postin e nënkryetarit të subjektit të ri politik, shkruan gazeta KOHA.
Sekretar i përgjithshëm i “VLEN një parti” do të jetë Bekim Sali, ndërsa nënkryetarë janë caktuar Bekim Qoku dhe Mimoza Musa. Lajmin e bëri publik Izet Mexhiti, duke paralajmëruar se në Kongresin e 9 majit, Bilall Kasami do të zyrtarizohet si bashkëkryetar.
Por, pas këtyre emërimeve, sipas burimeve të larta brenda VLEN-it, është shfaqur pakënaqësi serioze nga Ilir Demiri, i cili thuhet se kishte marrë premtime se do të emërohej nënkryetar pasi kaloi në Grupin parlamentar të VLEN-it, edhe pse më herët ishte zgjedhur deputet në kuadër të Frontit Evropian nga radhët e Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës.
Sipas të njëjtave burime, premtimi për pozitën e nënkryetarit i ishte dhënë nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe Latif Arifi, si pjesë e përpjekjes për të forcuar peshën e grupimit të tyre brenda VLEN-it, duke e sjellë Demirin si deputetin e dytë të këtij krahut politik.
Madje, vetë Mexhiti dhe Kasami kishin deklaruar publikisht se VLEN ishte rritur me një deputet më shumë. Por kjo formulë, hasi në kundërshtimin e fortë të deputetes Mimoza Musa.
Ajo kundërshtoi emërimin e Demirit për nënkryetar, duke argumentuar se pas sakrificave politike dhe sulmeve që kishte përballuar pas shkëputjes nga Aleanca e Arben Taravari, nuk mund të mbetej jashtë kryesisë së ngushtë.
Shumica në VLEN, sipas burimeve, e mbështeti këtë qëndrim, ndërsa në fund posti i nënkryetares i takoi Musës. Demiri ishte i papranueshëm për një pjesë të madhe të ASH-së së mbetur në VLEN, pasi kundërshtonin katapultimin nga jashtë VLEN-it drejt nënkryetar.
Ky zhvillim, sipas burimeve të brendshme, ka prodhuar “hatërmbetje” te Demiri. Thuhet se prej kohësh deputeti Demiri nuk po paraqitet në Parlament, as në seanca e as në komisione, ndërsa kontaktet me Grupin Parlamentar të VLEN-it dhe me kryesinë e lartë janë zbehur ndjeshëm.
“Ndjehet i tradhtuar. Iu premtua posti, por plani i Azir Aliut dhe Latif Arifit, i mbështetur edhe nga deputeti Adnan Azizi, dështoi”, thotë një burim i lartë brenda VLEN-it.
Sipas të njëjtit burim, Demiri ka lënë të kuptohet se, meqë nuk u realizua “pazari”, mund të rikthehet si deputet i pavarur dhe të mos jetë i disponueshëm në momente kur shumicës parlamentare mund t’i nevojiten votat e tij.
Megjithatë, rrugëtimi politik i Demirit ka qenë i lëvizshëm muajt e fundit. Nga pjesë e ASH-së së Ziadin Selës dhe Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI e Ali Ahmetit, Demiri doli si deputet i pavarur me pretendimin për bashkimin e dy krahëve të Aleancës, atë të Taravarit me Selën, për të kaluar më pas në krahun e Azir Aliut, pasi ky grup eliminoi politikisht Arben Fetai, figurë që përfaqësonte ASH-në e mbetur në VLEN pas largimit të Taravarit nga koalicioni dhe Qeveria. (koha.mk)
