Kryeministri Dimitar Kovaçevski i ofendoi shqiptarët duke i quajtur huliganë pas një incidenti që ndodhi dje në afërsi të qendrës tregtare Çairçanka në Çair të Shkupit, kur tifozët bullgarë ndaluan automjetet dhe zbritën prej tyre, pas së cilës filloi një përleshje verbale dhe më pas u shndërrua në përleshje fizike me një grup qytetarësh të dalë nga objektet përreth.

Konkretisht, në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, nëse qeveria përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka marrë notë diplomatike nga Bullgaria për incidentin e djeshëm në Çair me tifozët bullgarë dhe si do të reagojnë ata dhe nëse ky incident do të përkeqësojë marrëdhëniet maqedono-bullgare tashmë të tensionuar, Kovaçevski tha se bëhet fjalë për huliganë dhe njerëz që nuk kanë lidhje me sportin, por nuk e dënoi këtë incident që u shkaktua pikërisht nga qytetarët bullgarë, të cilët gjatë ndeshjes filluan të ofendojnë shqiptarët.

“Së pari, ajo dje ishte rezultat i huliganëve dhe njerëzve që nuk kanë lidhje me sportin nga të dyja palët. Nëse shikoni lajmet atëherë do të shihni gjithçka përveç rezultatit të ndeshjes. Futbollistët vijnë të luajnë futboll për hir të tifozëve të vërtetë. Ajo që ndodhi dje është dëshmi se futbolli apo çfarëdo sporti duhet t’u lihet sportistëve, tha Kovaçevski.

Askush nuk flet se cili futbollist si ka luajtur, por të gjithë po flasin se kush janë ata 10, 15, 20 huliganë që u përleshën mes tyre dhe plagosën një polic, shtoi Kovaçevski.

Dje është luajtur ndeshja mes Shkupit (Maqedoni) dhe Levskit të Sofjes (Bullgari), dhe pas përfundimit të ndeshjes janë arrestuar 21 persona për dhunë në një ndeshje sportive, sulm ndaj policëve që po kryenin veprime zyrtare, si edhe për sjellje agresive. Gjatë ndeshjes, tifozët e Levskit kanë bërtitur një sërë ofendimesh dhe sharjesh ndaj lojtarëve të Shkupit dhe grupit të tifozëve Shvercerat.