Efektivët e policisë u dislokuan këtë mëngjes në të gjithë Portugalinë për të kontrolluar 42 lokacione të veçanta, duke përfshirë zyrën e kryeministrit, bizneset dhe ministritë kombëtare, konfirmoi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, raporton Anadolu.
Gjatë operacionit u arrestua Vitor Escaria, shefi i kabinetit të kryeministrit Antonio Costa, si dhe konsulenti i ngushtë Diogo Lacerda Machado, së bashku me dy drejtues biznesi dhe një avokat.
Prokurori i Përgjithshëm në deklaratën e tij tha se bastisjet ishin të lidhura me një hetim për keqpërdorime të mundshme, korrupsion dhe tregti me ndikim në lidhje me koncesionet e litiumit, hidrogjenit dhe qendrave të të dhënave.
Policia kreu bastisje në shtëpi, zyra avokatësh, biznese, bashkinë e Sines si dhe institucione kombëtare si zyra e kryeministrit dhe ministritë e mjedisit dhe infrastrukturës.
Në atë që mund të jetë një krizë e re politike, kryeministri Costa anuloi agjendën e tij dhe u takua me presidentin Marcelo Rebelo de Sousa.
Opozita tashmë kanë ngritur zërin për largimin e Costa-s.
Rui Rocha, kreu i partisë së krahut të djathtë “Nisma Liberale” i kërkoi presidentit të shpërndajë parlamentin sepse “nuk mund të kemi një kryeministër në detyrë, ku rrethi i tij i ngushtë është përfshirë në një hetim kaq serioz”.
“Korrupsioni po përhapet dhe po shkatërron themelet e vendit. Antonio Costa nuk është në gjendje të vazhdojë të qeverisë!” tha kreu i partisë së ekstremit të djathtë Chega, Andre Ventura.
Anëtarët e së majtës portugeze gjithashtu shprehën shqetësim. “Drejtësia duhet të jetë e menjëhershme, e shpejtë dhe e drejtë, pa marrë parasysh kujt i dhemb”, tha Pedro Filipe Soares nga Blloku i Majtë, duke vënë në dukje “ka ende shumë që duhet të dimë”.
Burime nga Ministria e Mjedisit dhe zyra e kryeministrit konfirmuan bastisjet në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Lusa, por nuk pranuan të komentojnë më tej.
