Kryetari i Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri, ka njoftuar se më 26 shkurt komuna do të presë për vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, duke e cilësuar këtë si një moment historik për komunën.

Sipas Shaqirit, kjo është hera e parë që Komuna e Çashkës vizitohet nga një president, dhe veçanërisht nga Presidenti i Shqipërisë, ngjarje që ai e konsideron një moment krenarie për qytetarët.

Sipas agjendës së paralajmëruar, presidenti Begaj do të pritet në objektin e komunës në periudhën 14:30 deri në 15:00. Më pas, delegacioni do të vazhdojë vizitën në fshatin Jabollçisht i Epërm, ku është paraparë takim me qytetarët nga ora 16:00 deri në 16:30.

Kryetari Shaqiri ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në pritjen e presidentit dhe të bëhen pjesë e kësaj vizite që ai e cilëson si historike për Komunën e Çashkës.