(Përgjigje ndaj postimit të deputetit Bekim Qokut: “Nëse portalet dhe gazetat konsiderohen si krijues dhe inxhiniering të opinionit publik, nga kjo pasqyrë që po shohim mund të konstatojmë se sa të vështirë e ka pasur dhe e ka VLENi dhe sa e mbrojtur është BDI-ja në sytë e publikut”)

Nga Lirim DULLOVI

Kur një politikan shqiptar sulmon gazetën Koha, kjo tregon qartë se cilave interesa u shërben ai vetë.

Deputeti Qoku, duke publikuar hulumtimin për 5 milionë euro të shpenzuara nga partitë politike për fushatën e zgjedhjeve lokale, është fokusuar në 39 mijë euro që gazeta Koha dhe portali www.koha.mk kanë përfituar gjithsej nga ky buxhet, 0.78%.

Pra, sipas “qokometrisë”, 0.78% na qenka më e madhe se 99.22% nga 5 milionët, buxhet i harxhuar nga të gjitha partitë. Ai nuk thotë asnjë fjalë as për 800 mijë eurot që i ka menaxhuar subjekti i tij VLEN për këtë fushatë. Vetëm Koha, sipas tij, qenka problem që ka fituar 0.78% nga ky buxhet.

Çdo njeri normal do ta shihte këtë raport ndryshe. Por për ta bërë manipulimin të mundur, ai qëllimisht fsheh 99.22 përqindshin e fotografisë së përgjithshme, fsheh tabelat e plota – atë të mediave televizive apo buxhetet e secilës parti veç e veç – sepse vetëm kështu 0.78% mund të duket “problem kombëtar”.

Sidoqoftë, neve na gëzon fakti që në sytë e Qokut 0.78% qenka më e madhe se 99.22%. Ai, pa dashje, në këtë mënyrë flet për peshën reale që ka gazeta Koha në opinionin publik.

Por ai duhet ta dijë se Koha nuk ka përkrahur kurrë politika të dështuara. Kemi qenë kritikë ndaj të gjitha partive shqiptare kur kanë tradhtuar votuesit. Njëjtë jemi edhe sot. Por me dy vite pushtet, ky deputet ende nuk arrin të numërojë një të arritur konkrete për shqiptarët.

Nga ana tjetër, ai rezulton të jetë deputeti më i shtrenjtë shqiptar në këtë përbërje parlamentare. Thënë me fjalorin e futbollit, “Mesi” i politikës shqiptare, më i shtrenjti. Ai, për një vit, ka marrë rreth 7 mijë euro vetëm për shpenzime udhëtimi, i gjashti më i paguari nga lista e 120 deputetëve.

Por çfarë të mire u ka sjellë votuesve shqiptarë? A mundet të numërojë së paku një sukses? Edhe sikur ta besonin vetëm 0.78% e shqiptarëve, ne do ta pranonim si të saktë. Por për fat të keq, edhe po ta matnim me qokometër punën e tij, ku (0.78 > 99.22), ai përsëri nuk do të rezultonte t’i përshkruhej asnjë sukses i vogël. “Mesi” i VLEN-it jo që nuk realizoi asnjë gol, asnjë asist, por rezultoi e kundërta: mbushi rrjetën e golit të votuesve të vet, me dështime duke tradhtuar çdo premtim të dhënë.

Ja, për shembull, vetëm javën e fundit, Qokut nuk i “ndiu qoku” kur në ndeshjen Vardari – Bashkimi u dëgjuan brohoritje antishqiptare. Ky zgjodhi heshtjen.
Qoku nuk reagoi as për heqjen e flamurit shqiptar në stadiumin e Hasanbegut në Shkup.
Qoku nuk u pa të reagonte as për rrahjen e ushtarëve shqiptarë në Shtip.

Si pjesë e pushtetit, po të ishte në shërbim të votuesve shqiptarë, ai do të duhej të mos lejonte të ndodhnin këto padrejtësi, e lëre më të mos reagonte.

Dhe kur aty, për çka ka kërkuar dhe ka fituar besimin e votuesve të vet, nuk po i ecën puna, Qoku trimërohet dhe lëshon zë të fuqishëm kundër gazetës Koha për 0.78% nga paratë e buxhetit.

Sikur vërtet ta kishte hallin e pavarësisë së mediave, Qoku do të duhej një herë t’i komentonte zërat se në kuadër të koalicionit VLEN për çdo muaj mblidhen rreth 40 mijë euro “cash” për t’u shpërndarë te mediat “e pavarura” të këtij formacioni politik. Nuk po mundemi ta kuptojmë prej nga vjen ky “cash” në duart e politikanëve. A janë para të hallallit apo para të haramit? Do të ishte mirë ta dëgjonim të flasë një herë edhe në këtë temë.

Dhe derisa Qoku dhe dostat e tij do të vazhdojnë të na luftojnë si media, sivjet gazeta Koha do ta festojë datëlindjen e saj të 20-të. Kemi kaluar pushtete, presione dhe sulme – dhe prapë kemi mbetur në këmbë.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që dimë – gazetarinë, ndërsa Qokut me shokë ia kemi lënë të merren me “qokometrinë “e Kohës.

(Autori është botues i gazetës KOHA dhe portalit www.koha.mk)