Policia e Shkupit do të hartojë dhe propozojë një protokoll të veçantë për rastet e kërcënimeve për vendosje mjetesh shpërthyese në qendra tregtare pasi për dy fundjava radhazi, tre nga qendrat më të mëdha tregtare në Shkup u përballën me kërcënime të rreme për bomba, transmeton Portalb.mk.
Sipas asaj që është bërë e ditur, protokolli do të rrisë bashkëpunimin dhe komunikimin mes policisë së kryeqytetit dhe sigurimit të qendrave tregtare, si dhe do të forcojë funksionin parandalues të sigurimit, në mënyrë që ata të mund të bëjnë vetë vlerësime për kërcënime të mundshme dhe aktivitete të dyshimta të vizitorëve.
Në këtë mënyrë pritet të ulet koha për kontrollimin e kërcënimeve, të cilat deri më tani janë dëshmuar si të rreme.
Rasti i fundit ndodhi para dy ditëve në City Mall, ku dy orë para mbylljes u krye evakuim.
“Në orën 9 do të aktivizohen bombat e vendosura”, thuhej në mesazhin elektronik që u dërgua në disa adresa emaili në Shkup, përfshirë edhe policinë.
Fundjavën e kaluar, kërcënime të ngjashme të rreme pati edhe për qendrat tregtare East Gate dhe Diamond.
Kujtojmë se viteve të fundit në vend ka pasur vazhdimisht raportime të rreme për bomba, si në shkolla, qendra tregtare dhe institucione tjera publike.
Deri më tani, këto njoftime kanë rezultuar si të rreme, ndërsa në disa raste janë identifikuar autorët.
