Sot është dita e nëntë, prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë që nga data 24 tetor të këtij viti, shkruan Gazeta Metro.
Minatorët e ndërmarrjes ‘Trepça’-Sh.A, po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.
Gjatë ditës së djeshme, Menaxhmenti i Minierës së Trepçës ka marrë vendim që t’ua ndalojë mëditjet e rregullta dhe pagesën për shujtë të gjithë minatorëve që janë në grevë, pasi më herët pezulloi kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës dhe katër anëtarë të saj. Pagesat e ndaluara do të llogariten nga data e fillimit të grevës, më 24 tetor. Në arsyetim të vendimit, menaxhmenti i Trepçës thotë se punonjësit e kanë bojkotuar punën pa paralajmërim.
“Si dhe bazuar në Ligjin për Grevat ku thuhet se ‘gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’, menaxhmenti vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetim e kësaj ndërmarrje.
Gazeta Metro, ka kontaktuar me minatorin e ndërmarrjes ‘Trepça’-Sh.A, Fatmir Shabanin i cili në emër të të gjithë minatorëve ka deklaruar se gjendja e minatorëve është shumë e rëndë dhe se numri veç se po rritet.
“Tmerruese është numri me problemet shëndetësor të tyre. Numër i madh janë shumë, e pritet dita e ditës që krejt”, ka deklaruar minatori Fatmir Shabani.

Sipas Shabanit, ai ka thënë pushteti aktual është duke e fundos të gjithë “Trepçën”.
“Ata janë tu kqyr me fundos krejt ‘Trepçën’, e kjo do të ndodhë shpejtë”, ka thënë Shabani.
Ndërsa, mbrëmë brenda zyrës së Sindikatës së minatorëve të Trepçës është zhvilluar një takim mes kryesisë së sindikatës dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty mbrëmë kishin qëndruar Armend Muja, Arjeta Fejza, Halil Thaçi, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë.
Deri më tani se çka dihet është se, deputetët e VV-së kanë kërkuar që të ndërpritet greva kurse sindikata ka vendosur që ajo të ndalet vetëm kur të shkarkohet kryeshefi Enis Abdurrahmani.
Lidhur me këto zhvillime, Gazeta Metro e ka pyetur minatorin Fatmir Shabanin se a është arritur deri më tani ndonjë marrëveshje, ai ka theksuar se nuk është arrit ndonjë marrëveshje, vetëm e kanë pas mi tërheq njerëzit e me fundos Trepçën.
“Nuk është arrit ndonjë marrëveshje, vetëm e kanë pas mi tërheq njerëzit e me fundos Trepçën. Ky që menaxhmeti i Trepçës ka suspenduar nga puna Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ky ka dhënë dorëheqje vetëm gojarisht, ndërsa parimisht është i shkarkuar, ende pa e pa letrën e vulën se është i shkarkuar nuk dalim nga Trepça”, ka theksuar minatori Fatmir Shabani.
Ai në fund ka shtuar se duhet ti lëmë anash inatet politike, sepse rinia shkoi poshtë.
“Për inati të politikes e për një njeri shkoi rinia poshtë. Edhe miliona investime mi bo në minierë, mo s’ka çka…krejt..nëpër korridore… e krejtë në minierë është tmerr”.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Sindikalistët e Trepçës janë pritur në takim nga disa deputetë në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Sindikalistët kërkuan nga Qeveria që sa më shpejtë të bëjë një zgjidhje për minatorët, pasi siç thanë ata po rrezikohet jeta e tyre.
Minatori Gani Osmani tha se minatorët po kërkojnë të respektohet e drejta e tyre me ligj.
“Çfarë ka ndodhur deri tani, kisha bërë apel që Qeveria të bëjë një zgjidhje për minatorët që sa më parë të dalin nga miniera. Minatorët po derdhin djersën në kushte shumë të këqija, politikë nuk bëjnë. Minatorët janë të bashkuar dhe po kërkojnë të drejtën e tyre sipas ligjit, po kërkojnë të marrin pagën me kohë, që të ushqejnë familjet e tyre. Kërkesat e tyre nuk janë politike”, është shprehur ai.
Një nga ta është shprehur shumë i prekur me situatën, teksa u ka bërë thirrje edhe pushtetit edhe opozitës që të bëhen bashkë, dhe të bëjnë zgjidhje për minatorët.

Sami Peci në lot ka thënë se situata në të cilën ndodhen ata kërkon zgjidhje të menjëhershme.
”Unë jam Sami Peci, minator e sindikalist. Ju kisha lutë se jom shumë i emocionum, shpëtona jetën minatorëve. Bëni një grup nga të gjitha partitë, lëni inatet mes vete, për çështjen e minatorëve lëni inatet. Minutat janë në pyetje. Ju të jeni të besum hajdeni me neve, kemi me shku bashkë me i pa minatorët. Lene çështjen se kush është organizator, kush në këshill kush në nuk është, se janë krejt minatorët. Vetë kërkesa dihet çka po lypet, analizoni ju jeni ma të meçëm, keni shkollë ma shumë, analizoni kërkesat. Mos u merrni me çështje politike me neve kërkush por bëni zgjidhje sa më shpejt, ju kisha lutë, me neve pa neve bëni zgjidhje. Munet me ndodhë edhe tjetërçka, e përgjegjësinë kush e merr. Atëherë s’ka çka na vynë as përgjegjësia, kur të shkon jeta e minatorëve. Ju lutem bëni bashkë, se i njohim të gjitha partitë se na kemi dhënë vota. E ditmë kush o Qeveria. Leni politikën e bënu bashkë e shpëtoni minatorët”, është shprehur Peci, dje në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Kujtojmë se Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku është diskutuar lidhur me situatën aktualen në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A., pasi që ajo ka qenë në një udhëtim zyrtar jashtë vendit./gazetametro.net


