Presidenti rus, Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim të përkohshëm në luftën në Ukrainë me rastin e Pashkëve Ortodokse, që do të zgjasë nga mbrëmja e së shtunës deri të dielën.
Sipas një deklarate të Kremlinit, armëpushimi do të hyjë në fuqi të shtunën në orën 16:00 (13:00 GMT) dhe do të mbetet në fuqi gjatë gjithë së dielës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi njoftimin, duke theksuar se Ukraina kishte propozuar më herët një armëpushim gjatë festave të Pashkëve dhe do të veprojë në përputhje me këtë.
“Njerëzit kanë nevojë për Pashkët pa kërcënime dhe për hapa realë drejt paqes. Rusia ka mundësinë të mos rifillojë sulmet edhe pas Pashkëve,” deklaroi ai në rrjetin social X.
Zelensky ka bërë thirrje të përsëritura për një armëpushim gjatë festave.
Pashkët Ortodokse, që këtë vit festohen më 12 prill, kremtohen nga besimtarët në Rusi dhe Ukrainë.
Kremlini bëri të ditur se ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov janë urdhëruar të pezullojnë të gjitha operacionet ushtarake gjatë armëpushimit.
Megjithatë, trupat do të mbeten në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo “provokimi nga armiku”.
Moska pret që edhe pala ukrainase të ndjekë të njëjtin shembull.
Në të kaluarën, armëpushimet e përkohshme janë shoqëruar me akuza të ndërsjella për shkelje dhe përdorim të tyre për rigrupim të forcave dhe furnizim me armatime.
Vitin e kaluar, Putini shpalli një armëpushim 30-orësh për Pashkët Ortodokse, si dhe një tjetër gjatë përkujtimit të Luftës së Dytë Botërore në maj, por refuzoi një armëpushim për Krishtlindje.
