Ramiz Merko apo ndryshe i njohur si “sherifi” lokal i Strugës për katër mandate sa po bën në pozitën e kryetari të komunës ka ngritur një perandori për vete dhe familjen e tij. Çdo mandat i tij lë diçka për të dëshiruar tek qytetarët e Strugës dhe jo vetëm, gjë që në fund rezultoi edhe me veprimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ta vendosur atë në listën e zezë. Merko gjatë mandateve të tij ka qenë i spikatur për dhënien e koncesioneve me zemërgjerësi në plazhet e Strugës. Edhe pse disa herë i ishte tërhequr vërejtja nga institucionet, ai çdo herë kishte deklaruar se është i zoti i shtëpisë dhe në Strugë ai bën ligjin.
Veprimtaria e tij që e çoi deri tek vija e kuqe që e ndan nga oqeani përfshinë edhe lejimin e ndërtimeve e pa leje, mbrojtjen e tyre dhe porosinë ndaj institucioneve: “ju nuk mund të prishi sa ne mund të ndërtojmë”. Rasti më i spikatur mbetet ai me dhënien e lejes për fushë sportive dhe rekreacioni e që përfundoi në restorant dasmash me vendndodhje buzë liqenit të Ohrit.
Merkos duke mos i mjaftuar pushteti lokal, ai nuk kishte lënë pa futur hundët edhe në pushtetin gjyqësor. Fjala e tij e fundit ishte vendim mbi çdo zgjedhjeje për prokuror ose gjykatës në Strugë, gjë që u dëshmua edhe përmes përgjimeve të publikuara aso kohe nga ish lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Për shkak të numrit të madh të prokurimeve publike dhe shpenzimeve të fondeve në mënyrë jo racionale duke blerë vetura për komunën, Merko në vitin 2019 mbi dyshimet për jo transparencë u bë objekt hetimi nga anti-korrupsioni, por rekomandimet e këtij të fundit asnjëherë nuk u shtruan në kallëzim apo akuzë për abuzim me detyrën zyrtare apo keqpërdorim të fondeve publike.
Pa përmbyllur mandatin e parë si kryetar i Strugës, Merko u kujdes që biznesin ta zgjeron edhe në sferën e edukimit. Në vitin 2007 hapi “Euro College”-n, ndërsa në vitin 2008 Ministria e Arsimit dhe Shkencës që aso kohe drejtohej nga Pero Stojanovski i VMRO-DPMNE-së, duke i dhënë dritën jeshile për themelimin e Universitetit Ndërkombëtarë të Strugës. Ky tempull i diturisë u përball me akuza si pasojë e shkeljeve ligjore për mos akreditimin e programeve studimore, dyshimet akoma të pa vërtetuara për dhënien e diplomave në mënyrë ekspresë përmes ndërhyrjeve politike dhe financiare si dhe përvetësimin e programeve pa pëlqimet e përcaktuara ligjore. Në gjithë këtë situatë Merko krah të djathë kishte ministrin aktual të Arsimit, Jeton Shaqirin.
Ramiz Merko së fundi ishte i njohur edhe për veprimet e tij kundër lypsarëve në qytetin e Strugës dhe vrasjen e likuidimin e qenve endacak si rrezikun më të madh për qytetin siç i cilësonte ai. Merko është njeriu i dytë në BDI që futet në listën e zezë të SHBA-ve pasi në të nga viti 2001 ndodhet ishte deputeti Xhavat Ademi, ndërsa i treti në listën e frontit Evropian dhe perëndimorë pasi në grup me të bën pjesë edhe Menduh Thaçi në cilësinë e kryetarit të PDSH-së. /Alsat.mk