Është publikuar raporti zyrtar i Policisë për mbrëmjen kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendoi se “Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, deshi të bëjë aksident komunikacioni” me eskortën ku ndodhej i pari i Qeverisë. Aty, rreshteri i Mbrojtjes së Afërt, Gëzim Millaku, i cili njëherë jep deklaratë fillestare rreth detajeve të rastit, një ditë më pas mohon se eskorta u rrezikua nga Lushtaku.

Por fillimisht: Siç thuhet në raportin e publikuar nga RTK, rasti është inicuar më 27 janar 2025 në orën 19:15 nga Njësia Policore e Mbrojtjes së Afërt, e cila pretendonte se vetura brenda së cilës ndodhej Lushtaku kishte rrezikuar eskortën zyrtare. Për rastin kishte raportuar rreshteri Gëzim Millaku.

Aty thuhet se vetura e Lushtakut, “lëvizte paralel me veturat e eskortës së policëve”.

“Kemi kontaktuar me telefon në numrin 044 ****** me Rr. Gëzim Millaku, zyrtar policor i Mbrojtjes së Afërt, i cili përmes telefonit tha se vetura ka dalë nga parkingu i pompës së derivateve ‘*** Petrol’ në dalje të Skenderajt, drejtimi për Polac, dhe e ka rreziku eskortën, duke tentuar të hyjë në mes të eskortës, dhe ashtu për një distancë ka vazhduar paralel me veturën policore të trafikut, rruga me dy korsi. Nga rr. Gëzim Millaku është kërkuar që nga ana e tyre të përpilohet raport policor lidhur me rastin. Prokurorja e Shtetit është njoftuar me informatën fillestare. Pastaj i kemi shikuar kamerat e qytetit, dhe nga video incizimet shihet se rreth orës 18:37 nga ‘***Petroli’ del një makinë, që besohet të jetë vetura që ka rrezikuar, dhe sapo kalon vetura e policisë që i prin eskortës me rrotativë ndezur, vetura e dyshuar kyçet në rrugë në momentin kur vjen vetura e dytë e eskortës dhe ashtu paralel me të vazhdon në drejtim të Polacit”, thuhet në raport.

Më 28 janar, një ditë pas ngjarjes, rreshteri Gëzim Millaku, tregohet më direkt. Kjo ndodhi kur ai dërgoi raportin zyrtar përmes e-mailit. Aty, Millaku thotë se vetura e Lushtakut, përveç kyçjes së vrullshme, nuk e ka rrezikuar eskortën.

“Vetura e dyshuar përveçse ka bërë kyçje të vrullshme, nuk e ka rrezikuar eskortën dhe nuk ka pas rrezik të drejtpërdrejtë, mirëpo kërkesa e tyre për ta ndal veturën e dyshuar për verifikim është në përputhje me standardet e larta të sigurisë që aplikohen në raste të tilla. Është marrë në pyetje si dëshmitar z. Sami Lushtaku i cili ka deklaruar se është nisur për në Prishtinë dhe është ndalë në marketin e pompës ‘*** Petrol’ të marrë ujë dhe kur është kyç në rrugë është kyç me kujdes të shtuar dhe me shpejtësi të ngadaltë pa e penguar askënd në trafik, në fakt kjo përputhet edhe nga pamja e video incizimeve, duke shtuar se nuk ka pas kurrfarë qëllimi ta pengojë policinë”, thuhet në raportin policor.

Sipas raportit, “pas analizimit të videoincizimeve, raportit policor dhe duke e pasur parasysh faktin se qarkullimi i trafikut në atë pjesë mund të zhvillohet në dy shirita qarkullues, por edhe deklaratës së Sami Lushtaku, vihet në përfundim se ky i fundit me veprimet tij të kyçjes në rrugë me veturën 02Z-66-21 nuk ka kryer rrezikim të trafikut publik”.

“Prandaj, në konsultim me prokurorin në këtë rast nuk kemi elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik dhe rasti mbetet me shënim zyrtar për informim në Operativën e Stacionit Policor në Skenderaj”, thuhet në fund të raportit policor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 18 maj deklaroi se Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lusthaku, ka dashur të bëjë aksident me eskortën zyrtare brenda së cilës ndodhej ai.

“Kryetari i Komunës së Skenderajt me veturë zyrtare 2Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhesha unë. Por nuk bëhet shumë e madhe kjo. Ka synuar që ta ndërpresë qarkullimin e eskortës sonë, në mënyrë të dhunshme me veturë zyrtare të komunës së Skenderajt. Ka proces policor për këtë gjë, por nuk është arrestuar aty”, deklaroi Kurti në KTV.