Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në Facebook përmes një deklarate të fortë në lidhje me heshtjen e Kuvendit të Kosovës përballë shkeljeve të procesit të rregullt ligjor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij në Tribunalin e Hagës.
“🇽🇰Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës”, shkruan Rama, duke theksuar se të drejtat e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë “shqelmuar si hiçasgjë”.
Ai shton se nëse Kuvendi i Kosovës do të ndërmerrte një nismë të tillë, Shqipëria do të angazhohej menjëherë për të miratuar të njëjtin tekst në Kuvendin e saj. Sipas Kryeministrit, kjo do të shërbente për të përcjellë zërin e të gjithë shqiptarëve drejt shteteve demokratike që mbështesin Tribunalin dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve ligjore.
“🇦🇱Asnjë shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin nuk duhet të tolerojë cenimin apo asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”, përfundon Rama.
