Fitore Kajtazi nga tetori i këtij viti do të fillojë studimet në regji të operës në universitetin “Hochschule für Musik und Theatre” në Hamburg. Bëhet fjalë për një prej universiteteve më të mëdha të muzikës në Gjermani. Kajtazi është studentja e parë nga Kosova që do të studiojë për regji të operës. “Mundem me thanë që ndihem normalisht e privilegjuar në këtë aspekt, por shpresoj shumë që do të ketë edhe shumë të tjerë pas meje që do ta studiojnë këtë drejtim”, ka thënë Kajtazi e cila njëherësh është motra e sopranos së njohur Elbenita Kajtazi

Në fillim të këtij muaji janë bërë dy vjet prej kur Kosova ka themeluar Operën. Megjithëse ende pa staf të plotë, ky institucion ka organizuar edhe shfaqje operistike. Por sa u përket profesionistëve të kësaj fushe, një e re nga Mitrovica synon që të bëhet regjisore e shfaqjeve operistike.

Fitore Kajtazi nga tetori i këtij viti do të fillojë studimet në regji të operës në universitetin “Hochschule für Musik und Theatre” në Hamburg. Bëhet fjalë për një prej universiteteve më të mëdha të muzikës në Gjermani. Kajtazi, është studentja e parë nga Kosova që do të studiojë për regji të operës.

“Me të vërtetë as që më ka shkuar mendja që do të jem e para nga Kosova që do të studioj regji të operës, derisa Elbenita e ka përmendur. Mundem me thanë që ndihem normalisht e privilegjuar në këtë aspekt, por shpresoj shumë që do të ketë edhe shumë të tjerë pas meje që do ta studiojnë këtë drejtim”, ka thënë Kajtazi e cila njëherësh është motra e sopranos së njohur Elbenita Kajtazi.

E Fitore Kajtazi ka thënë se inspirimin e gjen pikërisht te motra e saj. Ka përmendur se ajo ishte e para që e ka orientuar atë te kori për fëmijë “Cicërimat” në Mitrovicë “Cicërimat”. Prej asaj kohe Kajtazi do të niste të orientohej për në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë ku edhe ka ndjekur mësimet për piano.

“Rrugëtimi im serioz në muzikë ka filluar në shkollën e mesme ku e pata fatin me u taku me profesorin tim të pianos, Misbah Kaçamakun. Mund të them që nuk ka qenë vetëm profesor i pianos, por profesor i muzikës dhe jo vetëm. Si çdo i ri ose e re në Kosovë, me ëndrra të mëdha, edhe unë e kam pasur jo të lehtë ta gjej identitetin tim në muzikë, e sidomos në Kosovë” ka thënë Kajtazi.

Ajo kishte arritur që të pranohej në të njëjtin universitet në drejtimin e Pedagogjisë për piano.

Kur ia fillova fakultetit fillova të punoja në ‘Staatsoper Hamburg’ (Operën Shtetërore të Hamburgut). Se si erdha te përfundimi me studiu drejtimin e regjisë është një proces që ka ndodhur gjatë punës sime në Operën e Hamburgut, në të cilin e kam analizuar jo vetëm operën, regjisorët me të cilët kam punuar, rrethanat në të cilat jam gjendur, por e kam analizuar edhe njohur edhe veten”, është shprehur ajo.

Ajo ka arritur të zërë vend në drejtimin për regji në Universitetin për Muzikë dhe Teatër, që është një prej institucioneve edukuese prestigjioze jo veç në Gjermani. U themelua në vitin 1950 si kolegj publik i muzikës në bazën e ish-shkollës private të aktrimit të Annemarie Marks-Rocke dhe Eduard Marks. Ky universitet mbulon zhanre të ndryshme muzikore, duke përfshirë prej muzikën kishtare deri te pop, jazz, kompozimin, dirigjim e drejtime të tjera.

“Normalisht që kur vjen prej një shteti që s’ka as shtëpi të operës, e që sa kam qenë këtu s’kam parë asnjë operë derisa kam shkuar në Perëndim, sfidat janë të pritshme. Është krejt ndryshe, kur lexon për diçka e krijon një ide vetë, e krejt ndryshe kur në fakt je aty dhe e përjeton. Ka studentë të regjisë që janë rritur në opera, kanë kënduar madje edhe në korin e fëmijëve të operës. E pa dyshim që nuk është e lehtë për ne, po them për të gjithë studentët që vijnë nga Kosova me studiu cilëndo lëmë të muzikës. Për sfida konkrete, jam e sigurt që do të ketë gjatë dhe pas studimeve. Por, kurrgjë s’është e pamundur”, ka thënë Kajtazi.

Përveç studimeve ajo ka punuar edhe si pjesë e ekipit të regjisë si korepetitore e dritave në Operën Shtetërore të Hamburgut, ku, sipas saj, nuk ia kishte idenë se çfarë pune ishte.

“Vendin e punës në Operën Shtetërore të Hamburgut e kam marrë krejt rastësisht. Pasi që u pranova në fakultet, në Operë kërkonin një student ose studente që mundet me punu gjysmë orari. U pranova ta punoj këtë punë rreth së cilës, thënë të drejtën, nuk ia kisha as idenë se çka është. Dita e parë e punës ka qenë atë ditë që kam mbërri në Gjermani, ku është shfaqur opera ‘Lucia di Lammermoor’ nga kompozitori Gaetano Donizzeti”, ka thënë Kajtazi.

Ajo ka treguar edhe një ndër eksperiencat e saj më të mrekullueshme, ku ka pasur rastin edhe të punojë më shumë regjisorë të njohur ndërkombëtarë.

“Kam pasur rastin të punoja me regjisorë të ndryshëm si: Axel Ranisch, Kornél Mundruczó, Angelina Nikonova, Birgit Kajtna etj. në produksione të operave të njohura si: Il Trittico, Lady Macbeth von Mzensk, Tannhäuser, Carmen, Aida, La Traviata, Manon e shumë të tjera. Ka qenë deri tash për mua një eksperiencë e hatashme, të përjetoj aty idetë e ndryshme e të çmendura të regjisorëve të ndryshëm. Kam mësuar për këta dy vjet jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Kajtazi.

Tashmë studente e dy drejtimeve në një universitet me emër, Kajtazi ka nisur të mendojë për të ardhmen si profesioniste e artit.

“Për të ardhmen dëshira e synime kam shumë, sidomos pas përfundimit të studimeve. Por, së pari qëllimi im është t’i përfundoj studimet në të dyja fakultetet dhe motoja ime jetësore është të mos ndalem asnjëherë së mësuari gjëra të reja. Sa me fat jemi, që mundemi çdo ditë me mësu diçka të re”, ka thënë Kajtazi. (Festina Rexhaj)/koha.net