Sabahudin Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” Shkup, reagoi ndaj deklaratave të ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, lidhur me çështjen e qenve endacak.

Rustemi thekson se pas 20 vitesh në krye të Çairit, Mexhiti ende nuk ka kuptuar se kush ka kompetencë ligjore për menaxhimin e këtij problemi në territorin e Shkupit. Ai sqaron se NP “Higjiena Komunale” nuk ka asnjë ingerencë për mbledhjen e qenve endacak, përkundrazi, kjo është përgjegjësi ekskluzive e NP “Lajka – Shkup”, sipas vendimit për bashkëpunim ndërkomunal të miratuar më 22 dhjetor 2020.

“Mosdija e z. Mexhiti tregon qartë se gjatë pesë mandateve të tij në Çair prioritetet nuk kanë qenë kompetencat ligjore dhe funksionale të komunës, por gjëra të tjera, të cilat tashmë janë bërë publike,” tha Rustemi.

Ai i bëri thirrje Mexhitit të kërkojë falje publike për kritikat e pabaza ndaj NP “Higjiena Komunale”, duke shtuar se “paaftësinë dhe dështimet në menaxhimin e komunës nuk mund t’i arsyetojë me mosdijen dhe manipulimet e tij.”