Një nxënës adoleshent qëlloi për vdekje të paktën katër persona, përfshirë tre nxënës të tjerë, dhe plagosi të paktën 20 të tjerë në një shkollë të mesme në juglindje të Turqisë të mërkurën, tha guvernatori lokal, duke shënuar sulmin e dytë në shkollë në vend brenda dy ditësh.
Tre nxënës dhe një mësues humbën jetën në sulmin në provincën Kahramanmaras, tha guvernatori Mukerrem Unluer për gazetarët, duke shtuar se autori vrau veten pas sulmit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Një nxënës i klasës së tetë erdhi me 5 armë dhe 7 karikatorë – që besojmë se i përkisnin babait të tij, ish-oficer policie – në çantën e tij, hyri në dy klasa ku ndodheshin nxënës të klasës së pestë, duke shkaktuar vdekje dhe plagosje pa dallim,” tha Unluer.
Nxënësit e klasës së tetë në Turqi zakonisht janë 13 ose 14 vjeç, ndërsa ata të klasës së pestë janë 10 dhe 11 vjeç.
Guvernatori shtoi se katër nga të plagosurit janë në gjendje kritike dhe po i nënshtrohen operacioneve.
Sulmet me armë në shkolla janë shumë të rralla në Turqi.
Të martën, një ish-nxënës hapi zjarr në një shkollë në provincën juglindore të Sanliurfa-s, duke plagosur të paktën 16 persona, përfshirë nxënës dhe mësues, para se të vriste veten.
