Në kohën kur mendohej se ndarjet në BDI knë marë epilogun e tyre me kthimin e Musa Xhaferit, Blerim Bexhetit dhe Nevzat Bejtës në parti dhe me formimin e paralajëmruar të Lëvijes Demokratike nga ana e Izet Mexhitit dhe përkrahësve të tij, tymi sërish ka kapluar Reçicën e Vogël.
Tymi më imadh për momentin vërehet në deklaratat e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, kur flet për zhvillimet në parti.
Një figurë politike, që, prej kur mori postin e kryeparlamentarit dukej se më tepër i interesojnë “punët shtetëore” se ato partiake, kohën e fundit ka veshur dorezat dhe është rikthyer në ringun e politikës ditore, duke goditur pa pardon rivalët dhe kundërshtarit brenda taborit blu, shkruan Zhurnal.

Xhaferi goditjet nuk i ka kursyer as në intervistën e tij të fundit që kishte Agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA, ku zakonisht krerët e shtetit në intervistat e tyre flasin pak për çështje të përgjithshme, pak për çështje protokollare, por rrallë herë lëshohen në detaje për raporte brenda partiake.

Në këtë intervistë, Xhaferi duke folur për gjendjen në partinë e tij amë BDI dhe akuzat për korrupsion, si dhe ndaj tij personalisht nga disa anëtarë të partisë së tij, thotë se secili duhet “të shikojë në pasqyrë dhe të kujtohet se ku e ka vendin”. Nëse dikush ka problem duhet të jetë korrekt dhe ta thotë, thotë ai, “sepse nuk ka kolektivë të korruptuar”.

“Secili nga ne duhet të shihet në pasqyrë dhe të kujtohet se ku e ka vendin për të ditur se çfarë më pas. Unë personalisht për veten mund të them se jam i qetë rreth kësaj… Pra, të gjithë duhet të shikojnë veten para pasqyrës dhe kjo pastaj përbën mozaikun. Dhe kushdo që ka probleme në vete duhet të jetë korrekt dhe të paktën t’i thuhet liderit dhe të gjejë një mënyrë për t’u çliruar nga ai perceptim dhe subjekt, sepse nuk ka subjekte të korruptuara, tani kolektive”, tha Xhaferi.

Edhe pse ka kaluar ca kohë, Xhaferi nuk ka harruar akuzat se në zgjedhjet e fundit lokale në Gostivar ka punuar për kundërkandidatin e BDI-së, Arben Taravari, shkruan Zhurnal.


“Ndërsa po vazhdonte e gjithë kjo situatë me deklarata paralele nuk kam qenë dhe nuk doja të bëhem pjesë e saj. Po, është e vërtetë, unë në takimet me qytetarët për sa i përket përpjekjes për të mbeten gjërat brenda subjektit dhe deklaratat e të prekurve nga kjo ishin se është çështje që ta debatojmë brenda, të kemi liri që e kemi pasur gjithmonë, por kur gjërat dolën jashtë partisë, natyrisht si strukturë kur takonim qytetarët, duhej të dërgonim porosi se duhet të gjithë të mbetemi në shtëpi dhe se shtëpia nuk është në shitje. Nëse ju kujtohen deklaratat e para.

Kështu përgjigja për këtë u kthye në kundërpërgjigje mbi baza personale me kualifikime. Fillimisht se kam punuar në llogari të Arben Taravarit si kandidat që nuk ka asnjë të vërtetë absolute, asnjë “a” të kësaj, sepse aktivitetet me të cilat kam punuar në atë proces dinë të kundërtën e asaj që pretendohet dhe tani duhet të dërgoja një porosi nëse kanë dalë tashmë jashtë subjektit me aktivitet për organizim të një organizate paralele si lëvizje është e çuditshme – dhe ja tani nuk vlen, po kthehemi prapa, tani do të jemi çfarë “djem të mirë”?, thotë Xhaferi.

A do të tregohet Ali Ahmeti më i mençur se Arkimedi?

Është e qartë se kë e kanë në shënjestër goditjet e kryeparlamentarit Xhaferi. S’duhet të jesh njohës i madh rrethanave politike tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të kuptosh se Xhaferi ka në shënjestër rivalin e tij kryesor në degën partiake në Gostivar, Nevzat Bejtën. Me shkuarjen e Bejtës me “Grupin e Zjarrit”, vlerësohej se Xhaferi do të jetë figurë kryesore që do të koordinojë këtë degë, e ndoshta edhe sfiduesi i Taravarit në zgjedhjet e ardhshme lokale për të parin e Gostivarit, shkruan Zhurnal. Mirëpo tani që “Grupi i Zjarrit” u shua, Xhaferi nuk duket shumë i lumtur që autoriteti te dega e BDI-së në Gostivar sërish do të ndahet mes më shumë autoriteteve.

Zatën, në intervistën e dhënë në për TV21, Xhaferi foli pa doreza dhe nuk kurseu fjalët kritike për Bejtën, duke përdorë edhe vokabular që nuk jemi mësuar ta dëgjojmë prej tij, së paku jo ndaj bashkëpartiakëve, pa marë parasysh nëse pajtohet ose jo me ta. Xhaferi në TV21 fillimisht tha se është legjitime që figurat e “rrebeluara” të kthehen, por shtoi se çuditet si kthehen pa turp pas gjithë atyre gjërave që kanë thënë.

“Duke i marrë parasysh të gjitha paraqitjet publike të të përmendurve, posaçërisht të Nevzatit që vjen nga Gostivari, dmth paraqitjet e tij publike…çka të them përveç se thënies popullore: Çfarë është turpi për…pas gjithë atyre gjërave që i thanë publikisht atje dhe tani pa turp të kthehen. Kjo është legjitime, ata janë anëtarë”, pat thënë në këtë intervistë Xhaferi.

Nga ana tjetër, është shumë e qartë dyshim se Nevzat Bejta nuk është figura e vetme e rikthyer në BDI, që më pak ose më shumë i pengon kryetarit të Kuvendit, kuptohet si figurë partiake. Dihet se fjalë të mira nuk mund të thuhen as për raportet e tij me bashkë-mbiemnakun Musa Xhaferi. Kjo është vërejtur edhe mbledhjen e fundit të Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, ku mospajtimet që eskaluan mes tyre, rezultuan me daljen e Talat Xhaferit nga mbledhja në shenjë proteste. Sado kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i vlerësoi si “problem mes dy Xhaferëve”, sdo mend përplasja mes dy figurave të rëndësishme, reflektohet edhe në strukturë, shkruan Zhurnal.

Krejt këto zhvillime na krijojnë bindje se ngjarjet pas formimit të “Grupit të Zjarrit”, kanë lënë pasoja në BDI që nuk mund të tejkalohen aq lehtë. Tani partia e Ahmetit po funksionon sipas Ligjit të Arkimedit, i cili thotë se sa masë hyn në një vaskë, aq ujë del prej saj. Krahasimisht, sa (ish) figura të “Grupit të Zjarrit” po kthehen në BDI, aq pakënaqësi po shkaktohen te figurat tjera.

A do të arrijë Ahmeti t’i zhytë të gjithë këto figura në një vaskë, pa ngulfatur (mbytur) ndonjërën prej tyre, mbetet të shohim deri në zgjedhjet e ardhshme. Nëse arrin ta bëjë një gjë të tillë, atëherë me plot të drejtë do të mund të thërrasë në zë: “Eureka”, si Arkimedi para disa mileniumeve!
E me ujin që do teprojë nga vaska, do mund të bëjë edhe një përpjekje serioze për ta fikur përfundimisht “zjarrin” partiak, që ka djegur seriozisht disa degë e nëndegë, me rrezik për të kapluar edhe trungun dhe rrënjët! /Zhurnal