Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha Miller.

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan edhe të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe.