Shtetasi shqiptar Besnik Nikoli, i njohur ndryshe si “Nico” ose “El Gordo”, është arrestuar në Santa Marta, i akuzuar si i lidhur me trafikantët kolumbianë të drogës. Ai kërkohej në më shumë se 180 vende dhe konsiderohej një objektiv me vlera të larta nga autoritetet franceze, Europol dhe Interpol.

Prokuroria dhe policia në Santa Marta (Magdalena) arrestuan shtetasin shqiptar Besnik Nikoli, i njohur me pseudonimin “Nico” ose “El Gordo”, i cili prej tetorit 2021 është në kërkim nga autoritetet franceze me karton të kuq të Interpolit për krimin të trafikut ndërkombëtar të drogës, informon Top Channel.

Personi i arrestuar ishte gjithashtu i përfshirë në krime të pastrimit të parave dhe kërkohej në më shumë se 180 vende.

Nga informacionet që disponon organi hetimor, u konstatua se “Niko” ishte në shërbim të strukturave të kontrabandës së drogës që kryejnë krime në Francë, Shqipëri, Holandë dhe Gjermani, thekson televizioni. Me sa duket, prania e tij në Kolumbi kishte për qëllim vendosjen e kontakteve me rrjetet e trafikut të drogës.