Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të takohen të mërkurën në Zyrën Ovale. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga Shtëpia e Bardhë.

Takime të tilla janë të zakonshëm midis presidentit në largim dhe presidentit të ardhshëm. Takimi ka si qëllim që të japë mesazhin e fillimit të një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane.

Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ish Presidenti Trump kandidoi sërish në zgjedhjet e këtij viti dhe fitoi përballë nën presidentes, Kamala Harris.

Ashtu si Presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, Presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45 dhe 47 i Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden i telefonoi Presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.

Në një fjalim që mbajti të enjten, Presidenti Biden tha se e kishte siguruar Presidentin e zgjedhur Trump “se kam urdhëruar të gjithë administratën për të punuar me ekipin e tij për të siguruar një kalim paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.”