E Majta pretendon se LSDM-ja nuk mund t’i bindë as deputetët e saj që të votojnë për ndryshimet kushtetuese dhe kërkon zgjedhje të menjëhershme. Këtë kërkesë e ka edhe VMRO-DPMNE, ndërsa LSDM dhe BDI kanë siguruar se, ditën kur do të votohen ndryshimet kushtetuese, ministrat japin dorëheqje dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme
Xhenur ISENI
Shkup, 23 gusht – Ndryshimet kushtetuese dhe e ardhmja evropiane e vendit mbeten në fokus të Qeverisë, ndërsa VMRO-DPMNE ka detajuar kërkesën që zgjedhjet të mbahen deri në fund të vitit dhe se nuk do të marrin pjesë në qeveri teknike. Kësaj kërkese për zgjedhje iu bashkua edhe e Majta, ndërsa Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi se nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese do të ketë kërkesa të reja.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski vizitoi Athinën ku mori pjesë në darkën joformale kushtuar 20-vjetorit të agjendës së Selanikut, organizuar nga homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis. Përveç pjesëmarrjes në darkë me liderët e BE-së dhe shtatë vendeve të tjera nga rajoni, Kovaçevski ka takuar edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila dje në Tëitter ka shprehur shpresën që të gjitha partitë në Parlamentin e Maqedonisë do të mbështesë ndryshimet kushtetuese dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian. “Kemi ende politikanë, siç ka pasur në të kaluarën, për faktin se një vendim i tillë nuk duhej marrë dhe se duhej pritur, madje kreu i opozitës do të deklarojë se është i gatshëm të presë dhe 10 dhe 20 vjet etj. Konfirmimi më i mirë se si duket qëndrimi ulur në një dhomë pritjeje është pikërisht ky takim këtu, sepse takimi i Selanikut u zhvillua saktësisht 20 vjet më parë. Në takimin e Selanikut 20 vjet më parë, pjesë e Ballkanit Perëndimor ishte Kroacia, ishte Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe Kroacia ishte gjithashtu në Ballkanin Perëndimor. Së bashku me Kroacinë filluam anëtarësimin, aderimin në BE në vitin 2006”, theksoi kryeministri Kovaçevski.
Kroacia, shtoi ai, tani është një anëtare e BE-së, një anëtare e Shengenit dhe një vend ku euro është mjeti i pagesës, dhe ne kemi ende politikanë që thonë se duhet të presim. “Maqedonia e Veriut nuk duhet të qëndrojë në shoqërinë e Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Këto janë shtete që ende kanë probleme në përcaktimin e shteteve dhe fëmijët tanë nuk e meritojnë shtetin e tyre që të jenë në atë shoqëri në aspektin e integrimeve evropiane, prandaj ne kemi nevojë për vendime tani për hir të së ardhmes si të gjeneratave të tanishme ashtu edhe të atyre të ardhshme, theksoi Kovaçevski.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, pas takimeve në Athinë me përfaqësues të lartë të BE-së, theksoi se është momenti i vendosmërisë për një zgjerim të ri të Bashkimit Evropian dhe se Maqedonia e Veriut nuk duhet ta humbasë këtë shans dhe të presë përsëri. “Mesazhi është i qartë, vendet nga Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Si asnjëherë më parë, ka një moment dhe vendosmëri për një zgjerim të ri të Bashkimit Evropian. Të gjithë janë të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian dhe as Evropa nuk mund të bashkohen pa u anëtarësuar në Bashkimin Evropian çdo vend nga Ballkani Perëndimor”, thotë Mariçiq.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, e cila së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski vizituan pikën kufitare Bogorodicë, iu përgjigj pyetjes së gazetarit dhe tha se beson se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në aderimin dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian, dhe se me të vërtetë shpreson se politikanët nga të gjitha partitë politike në vend do të punojnë drejt arritjes së këtij qëllimi. “Unë me të vërtetë mendoj se nuk më takon mua të flas se si po shkon procesi i ndryshimeve kushtetuese. Unë jam ambasadori i Shteteve të Bashkuara. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian, por kur shoh kufirin dhe numrin e madh të automjeteve që hyjnë e dalin, besoj se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në pranimin dhe integrimin e tij në Evropë dhe shpresoj shumë që politikanët nga të gjitha partitë politike në vend do të punojnë për realizimin e saj. Kufiri me Greqinë na kujton vendimet e vështira që ky vend ka marrë tashmë, dhe e di që edhe kjo është e vështirë, por inkurajoj qytetarët që t’i bëjnë të ditur politikanët e tyre se duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Ageler.
VMRO-DPMNE opozitare nga seanca e Komisionit Ekzekutiv doli me tri konkluzione: kërkesë kryeparlamentarit Talat Xhaferi që menjëherë të hidhet në votim pika për ndryshime kushtetuese dhe të mos shtyhet, pastaj shpërndarja e Parlamentit dhe zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare dhe e treta që VMRO-DPMNE është e gatshme të heqë dorë nga qeveria teknike.
Lideri i partisë, Hristijan Mickoski, në një tubim në Kërçovë tha se VMRO-DPMNE do të arrijë një rezultat historik në zgjedhjet e ardhshme, por edhe se po bëhet një strategji që “të thyhet VMRO-DPMNE” dhe të votojnë 44 deputetë për ndryshime kushtetuese sipas diktatit bullgar. “Sot populli maqedonas po përballet ndoshta me sfidën më të madhe ekzistenciale, që është të luftojë për veten dhe për Maqedoninë e tij. A do ta bëjmë këtë? Po! Të gjithë së bashku do të luftojmë, sepse e ndjej mbështetjen e popullit kudo që shkoj nëpër Maqedoni. Në atë luftë ka shumë sfida, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Shumë do të vijnë tek ju, do t’ju shtrëngojnë dorën dhe do t’ju shikojnë në sy dhe do t’ju thonë gjithçka që dëshironi të dëgjoni. Por kujdes, të njëjtët njerëz që do t’ju tregojnë gjithçka që dëshironi të dëgjoni, janë pas perdes duke bërë marrëveshje me pronarët e tyre. Kush janë pronarët e tyre? Të gjithë ata që nuk duan që ky popull të ketë sukses dhe ky shtet të ketë sukses, tha Mickoski në Kërçovë.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, tha dje se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese do të dalin shumë probleme që mund të hapin çështje të reja që partitë politike ende nuk i kanë theksuar. “Ne si parti kemi qëndrim konsistent për këtë çështje dhe do t’i mbështesim, por mendoj se nëse dështojnë ndryshimet kushtetuese kutia e Pandorës do të hapet në Maqedoni. Në atë rast mendoj se do të hapen shumë probleme që mund të ziejnë mes njerëzve dhe partive politike, të cilat nuk janë thënë më parë dhe ndoshta në periudhën e ardhshme do të thuhen. Dhe Aleanca për Shqiptarët, nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, normalisht do të ketë strategjinë e saj se si do të vazhdojmë me strategjinë tonë”, tha Taravari.
Lidhur me kontaktet me VMRO DPMNE-në opozitare dhe nëse po zhvillohen bisedime, Taravari është përgjigjur pozitivisht dhe ka theksuar se në VMRO DPMNE ka anëtarë që mendojnë ndryshe nga lidershipi, por mendon se ka gjasa që e gjithë partia disi, me kushte të reja të vendosin ndryshe në periudhën e ardhshme. “Shpresoj se VMRO DPMNE do të mbledhë forca për të kaluar ndryshimet kushtetuese”, nënvizoi Taravari. Nga ana tjetër, E Majta pretendon se LSDM-ja nuk mund t’i bindë as deputetët e saj që të votojnë për ndryshimet kushtetuese dhe kërkon zgjedhje të menjëhershme.(koha.mk)
