Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari doli sot kundër “Ballkanit të Hapur”, një nismë që ende po proklamohet nga ana e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, por të cilën së fundi e braktisi Shqipëria.
Taravari përmes një porosie bëri të qartë se pas daljes së Shqipërisë, kjo nismë ka humbur kuptimin dhe s’ka legjitimitet.
“Dua të siguroj qytetarët se Aleanca për Shqiptarët desolidarizohet nga çdo nismë e re të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në kuadër të mekanizmit tanimë të abortuar të njohur si Ballkani i Hapur.
Me daljen e Republikës së Shqipërisë nga Ballkani i Hapur, këtij mekanizmi nuk i ka ngelur as kuptim e as legjitimitet. Mekanizmat duplifikuese dhe jo inkluzive që krijojnë Ballkan Perëndimor me dy shpejtësi nuk i ndihmojnë frymës integruese në rajon. Rruga përpara është e qartë: marrëveshjet tanimë të nënshkurara në kuadër të Ballkanit të Hapur, duhet të integrohen në tërësi dhe të zbatohen në kuadër të Procesit të Berlinit, duke filluar nga samiti i tetorit në Tiranë”, theksoi Taravari.
Ky reagim i tij vjen pasi që sot kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe nikoqirja e tij serbe, Ana Bërnabiq promovuan sot një projekt të radhës të “Ballkanit të Hapur”.