Editorial INA
Rrugëtimi i Aleancës për Shqiktarët (ASH) që nga lëvizjet e para të saj 2014-2015 si një fraksion reformator brenda PDSH-së dhe që nuk pajtohej me Menduh Thaçin, e deri më sot, përbën një nga rastet më studimore të rikonfigurimit dhe fragmentimit të një subjekti politik në Maqedoninë e Veriut.
Procesi i reformave atëkohë u artikulua nga Ziadin Sela, i cili së bashku me një grup bashkëpunëtorësh formoi fillimisht Lëvizjen për Reforma – PDSH (LR-PDSH). Pas një faze konsolidimi dhe ristrukturimi, ky formacion u pagëzua me emrin Aleanca për Shqiptarët, duke u pozicionuar si forca kryesore opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe duke promovuar një gjeneratë të re figurash politike.
Për një periudhë të gjatë, subjekti u karakterizua nga udhëheqja e Ziadin Selës, i cili më pas ia dorëzoi timonin Arben Taravarit, duke krijuar një binom mjekësh që udhëhiqnin rritjen e subjektit në skenën zgjedhore.
Megjithatë, dy vite më parë nisën çarjet mes Selës dhe Taravarit për çështjen e rreshtimit të ASH-së në zgjedhjet parlamentare. Kjo ndau subjektin në dysh: Taravari si lider iu bashkua koalicionit opozitar VLEN, ndërsa Ziadin Sela, si kryetar i Kuvendit të ASH-së, u rreshtua me koalicionin Fronti Evropian.
Brenda krahut të Taravarit, pas vetëm një viti në pushtet, nuk kishte rehati, pasi që pasuan mospajtime që çuan në ndarjen me bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, si Arben Fetai dhe mospajtimet dhe ndarja shpërtheu pas vendimit për dalje nga Qeveria dhe koalicioni VLEN, që vijoi me situatën dhe zhvillimet tashmë të njohura të ndarjes së rrugëve.
Sot, pasqyra e ASH-së është më komplekse se kurrë. Brenda fraksionit qeveritar që doli nga ndarja e fundit, po vërehen ndarje të reja. Në njërën anë janë Arben Fetai dhe mbështetësit e tij, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, deputetja Mimoza Musa dhe të tjerë. Ky grupim i dytë ka gjetur gjuhën e përbashkët me deputetin Ilir Demiri – i cili më herët ishte ndarë nga krahu i Selës – duke krijuar një konfigurim të ri.
Kjo hartë e copëtuar politike sugjeron se Aleanca për Shqiktarët është në një proces të vazhdueshëm rikonfigurimi, ku dallimet taktike dhe ndikimet e brendshme vazhdojnë të prodhojnë rreshtime të reja.
Pyetja që mbetet për t’u parë është nëse ky proces do të çojë në një konsolidim të ri, apo nëse fragmentimi do të vazhdojë, duke dobësuar ndikimin e këtyre forcave në skenën politike shqiptare në vend.
