Vetura e djegur e Artan Grubit ishte pjesë e pyetjeve të deputetëve. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki parashtroi tre pyetje lidhur me këtë temë. Ai kërkoi nga prokurori publik Lubomir Joveski të përgjigjet nëse është ngritur hetim për këtë rast, sidomos nëse ka elemente të korrupsionit me dhurimin e veturës Grubit nga personi që ka blerë hotel 55 mijë euro, dhe e pyeti nëse do të japë dorëheqje.
“A keni nisur një hetim për rastin e automjetit të djegur dhe a keni kërkuar hetim të plotë të rastit, duke pasur parasysh se dënimi me të cilin mund të përballet mund të variojë nga 6 muaj deri në disa vite burg. Pyetja e dytë për Lubomir Joveskin, besim është 1 për qind, a nuk është mjaft simptomatike dhe e paqartë që personi B.L. që bleu një hotel në Kodrën e Diellit për 55 mijë euro pak muaj më vonë i jep Grubit në përdorimin një automjet që kushton 80 mijë euro?”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Prokurori publik Ljubomir Joveski e cilësoi rastin si aksident dhe tha se prokuroria po atë ditë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë kontroll dhe se nuk kanë person të caktuar për të ngritur kallëzim. Lidhur me kërkesën për dorëheqje, ai tha se një kënaqësi të tillë nuk do t’ia lejonte dhe se është i kënaqur me punën e prokurorisë.
“Hetimi fillon ndaj një personi të caktuar, kur të jenë mbledhur të dhëna të mjaftueshme për krimin dhe për autorin e mundshëm të krimit, atëherë Prokuroria do të hapë hetimin përkatës. Jo vetëm në lidhje me automjetin e djegur, por Prokuroria po mbledh të dhëna për këtë rast që e përmendët në pjesën për blerjen e hotelit”, u shpreh Lubomir Joveski, prokuror publik.
Kovaçki i parashtroi pyetje edhe ministrit të brendshëm Oliver Spasovski nëse është i njoftuar se kjo veturë ka drita policore “flesherë” dhe nëse do të ndërmarrin diçka në lidhje me këtë.
“Ju si ministër duhet të dini se çfarë pajisje ka në automjetet e policisë dhe në ato të institucioneve të tjera shtetërore. Dua të pyes se sa automjete të tilla ka në Republikën e Maqedonisë që po qarkullojnë nëpër rrugët, nëse të njëjtat po përdoren për zbatimin e disa bizneseve të zeza dhe nëse po ndiheni përgjegjës për këtë situatë?”, pohoi tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Automjete me drita policore “flesherë” posedojnë shumë vagabondë që janë anëtarë të partive, tha ministri Oliver Spasovski.
“Dua të pohoj se në veturën e djegur kishte sinjalizime me drita dhe kjo nuk është as vetura e parë e as e fundit që ka pajisje të tillë. Është fakt se vagabondët më të mëdhenj janë pikërisht bartësit e funksioneve pa dallim nga cila parti, çfarë funksion ka etj. Nëse hyni në garazhin e Pallatit të bardhë, do t’i shihni dritat e para policore dhe gjithsesi se ka drita të tilla edhe në partitë e tjera politike”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Automjeti i Grubit u dogj para shtëpisë së tij, të shtunën, ndërsa në opinionin u hap dyshim për fshehjen e pronës./tv21