Qeveri e zgjeruar VMRO-DPMNE dhe LSDM pa BDI, a do të thotë edhe Qeveria pa partitë e tjera shqiptare?!
INA ka drejtuar një pyetje në adresë të partisë më të madhe maqedonase nga ku përgjigjen se nuk ka të bëj me këtë dhe se është një mjegullnajë e krijuar nga BDI.
Nga VMRO-DPMNE pyesin se si BDI përnjëherë hoqi dorë nga kryeministri shqiptar.
“Qeveri pa BDI nënkupton Qeveri pa kriminel të përfshirë në krim dhe korrupsion. Qeveri pa BDI nënkupton që ti jepet fund kaosit dhe mungesës së rendit, dhe përfundimisht në çdo aspekt të vlerësohet cilësia dhe vlerat, në vend të librezës partiake dhe aftësia për korrupsion dhe kriminalitet. Mjegullnaja e krijuar nga BDI dhe apologjetët e saj për Qeveri pa shqiptarët është vetëm shpifje dhe tregon frikën tek BDI se do të humbas mundësitë për kriminalitet dhe korrupsion, që i kanë momentalisht. Në vend që të përhapin mjegull, BDI, Artan Grubi, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani duhet ti sqarojnë shqiptarëve se si përnjëherë tërhoqën nga kryeministri shqiptar”, theksuan për INA nga VMRO-DPMNE.
Ministri i jashtëm dhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani paralajmëroi se partia e tyre është e gatshme të heq dorë edhe nga kryeministri shqiptar, nëse kreu i VMRO-DPMNE e kërkon këtë në këmbim të ndryshimeve kushtetuese.
Osmani këtë e deklaroi mbrëmë në emisionin “Click Plus” në TV21, ku shpalosi planet dhe opsionet e BDI-së.
“Qeveria është shumë më e madhe se pozicioni i kryeministrit. Ne tani po bëjmë kompromis për kushtetutën, nuk do të lejojmë asnjë alibi. Nëse Mickoski thotë se kërkon edhe kryeministrin deri në zgjedhje, edhe kryeministrin ia japim. Ndryshimet kushtetuese janë aq jetike, sa i tejkalon të gjitha sakrificat”, deklaroi ministri Osmani.
Ai gjithashtu tha se BDI-ja është e gatshme të shkoj në opozitë, nëse opozita e vendos si kusht kryesor për ndryshimet kushtetuese dhe rrjedhimisht integrimin e vendit në BE.(INA)