Analisti dhe ish-diplomati Arsim Zekolli ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe kërkesave për largimin e ambasadorit Denion Meidani, duke akuzuar drejtuesit e VLEN-it për servilizëm dhe mungesë dinjiteti politik.

Në një postim të publikuar në Facebook, Zekolli shkruan se ata që po kërkojnë largimin e Meidanit “do pendohen për dekada rresht”, duke vlerësuar se sulmet ndaj ambasadorit po bëhen për të fshehur, siç thotë ai, “qyqarinë, poltronizmin, servilitetin dhe analfabetizmin personal”.
“Nuk pajtohem me shumë gjëra të tij, por ata që kërkojnë largimin e një ambasadori për të kamufluar qyqarinë dhe servilizmin, vetëm se do përshpejtojnë fundosjen e vet”, shkruan Zekolli.
Ai më tej paralajmëron se largimi i Meidanit do ta reduktonte lidershipin e VLEN-it në, siç shprehet ai, “papagal në kafazin e Mickoskit”.
Në fund të reagimit të tij, Zekolli përdor tone të ashpra ndaj koalicionit shqiptar në pushtet duke deklaruar: “Rezil VLEN, rezil jeni bo. Hore!”.
