Nëse keni kaluar ndonjëherë përmes rrugës së njohur “Rekord” në qendër të Shkupit nga ora 8 deri në mesditë, me siguri e keni parë xha Dragin – njeriun e heshtur që shet kapëse flokësh për të siguruar kafshatën e gojës. Ai është një figurë e njohur për kalimtarët, por me një histori të dhimbshme pas vetes.
Në vitin 2018, xha Dragi u operua nga kanceri në fyt, gjë që ia pamundëson të flasë. Por me zërin e tij flet Toni, përfaqësues i organizatës humanitare “Dashamirësia (Lubeznost)”, që kohë pas kohe i ndihmojnë me pako ushqimore. Sipas tij, Dragi jo vetëm që përpiqet të mbijetojë me të ardhura minimale – ndihmë sociale dhe 200 deri në 700 denarë në ditë nga shitja në rrugë – por edhe kujdeset me shumë dashuri për qentë endacakë që frekuentojnë këtë pjesë të qytetit si dhe ata që i ka në shtëpi. Sado që fiton, e ndan me ta.
Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, por ajo që është edhe më alarmuese është gjendja e shtëpisë ku jeton – në kushte të mjerueshme, me çati që rrjedh, lagështi dhe mure të rrënuara. Në letra ai na shprehu frikën për jetën e tij, sepse shtëpia nuk i ofron siguri, sidomos kur ka stuhi apo reshje.
Shtëpia e ti ka nevojë për renovimin urgjent. Pa një strehë të sigurt, ai rrezikon jo vetëm shëndetin, por edhe jetën.
Kjo është një thirrje për ndihmë për të gjithë ata që mund të kontribuojnë me material ndërtimi, mbështetje financiare apo punë vullnetare. Të gjithë ata që duan t’i ndihmojnë xha Dragit, këtë mund ta bëjnë duke e vizituar në rrugën Rekord në qendër të Shkupit apo mund ta kontaktojnë përmes numrit të telefonit të mikut të tij.